Nga: JETON SELIMI*
Partizani barazon me Kukësin, një rezultat ky që u vlen më shumë verilindorëve, ndërsa të kuqtë janë praktikisht janë luftës për titullin kampion, ndonëse matematika i mban ende në lojë. Të kuqtë përpiqen të dalin përpara duke u përpjekur të sulmojnë që në fillim. Kukësi mbrohet mjaft mirë dhe mundohet të dalë rrezikshëm përpara, duke kundërsulmuar. Goli që zhbllokon sfidën vjen në minutën e 25-të. Goditje nga këndi për të kuqtë, Nexhipi kroson drejt zonës dhe portieri i Kukësit, Stazhilla, bën një dalje të gabuar duke u përplasur me një futbollist kundërshtar dhe duke mos e kontrolluar dot topin, aty përfiton Raçiç, i cili me një kthesë e dërgon topin në rrjetë. Me shënimin e golit, Partizani kthehet mbrapa dhe fillon të presë Kukësin. Verilindorët mundohet të krijojnë aksione, por ato ndalen pa filluar mirë. Në pjesën e dytë Kukësi kërkon ta vendosë në vështirësi Partizanin, por nuk krijon thuajse asnjë rast të rrezikshëm, ndërsa do të jetë penalltia e dhënë nga Jemini në të 74-ën, ajo që do t’i nxjerrë për herë të parë në këtë ndeshje përballë Alban Hoxhës. Cuculi ndërhyn ndaj Pejiçit dhe për Jeminin ka penallti për kroatin dhe karton të verdhë për Cuculin, që largohet me të kua pasi ishte e verdha e dytë. Pejiç do të ekzekutojë saktë, ndërsa në minutat e mbetura, pavarësisht dëshirës së dy skuadrave, takimi do të mbyllet në barazim, një barazim që më shumë shërben si asist për Skënderbeun.
Skënderbeu
Skënderbeu vuajti shumë për të marrë tri pikë me Apoloninë në një ndeshje të çmendur, që u vendos nga një gol i Fatjon Sefës 6 minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt, me korçarët që shfrytëzuan një moment hutimi të mbrojtjes fierake në zhvillimet e një goditjeje dënimi në një zonë shumë larg portës. Formacioni i Artan Mërgjyshit bëri gjithçka në stadiumin “Skënderbeu”, ku ndoshta meritonte të dilte me pikë, edhe pse kishte përballë skuadrën më të mirë të kampionatit, pikërisht kampionët në fuqi të Superiores. Apolonia, e vendosur mirë në gjysmëfushën e saj, nuk i lejoi hapësira kundërshtarit, madje në dy raste të njëpasnjëshme në fund të këtij fraksioni për pak kaloi në avantazh fillimisht me Filin dhe më pas me Ribajn, duke vënë në panik mbrojtjen e Skënderbeut. Megjithatë, rastin më të mirë do ta ketë Skënderbeu, kur kapiteni Shkëmbi do të shohë Miçon t’i presë penalltinë që e fitoi Latifi. Por Apolonia luan mirë deri në çastin kur Sefa, i hedhur në fushë në pjesën e dytë, përfitoi nga një shpërqendrim i mbrojtjes dhe i portierit të Apolonisë, duke zhbllokuar një sfidë që po mbyllej në barazim pa gola. Kjo fitore e vuajtur i rrit kuotat e Skënderbeut për titullin kampion, pasi formacioni i Josës është i shkëputur 3 pikë si nga Tirana, ashtu edhe nga Kukësi.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: