Nëse ka një “mace të zezë” për Egnatian, sidomos të këtij sezoni, është pikërisht Partizani. Humbja e fundit në gjysmëfinale të kupës e konfirmoi këtë gjë, ku edhe pse rrogozhinasit dominuan, në fund dolën të mundur nga këto 90-të minuta.

Më herët, të kuqtë i patën mposhtur kampionët në shtëpi edhe në përballjen e kampionatit të fazës së parë, me rezultatin 2-0. Dhe, dy humbjet e vetme të këtij edicioni në Rrogozhinë kanë ardhur pikërisht nga Partizani, një herë në kampionat dhe një herë në kupë. Askush nga ekipet e tjera nuk ia ka dalë dot të mundë kampionët në shtëpinë e tyre.

“ALERGJIA” NGA PROJEKTORËT – Egnatia mund të quhet pa frikë si një klub model sa i përket organizimit, por edhe infrastrukturës. “Qershia mbi tortë” në infrastrukturë ishte licencimi i stadiumit për në Europë dhe zhvillimin e ndeshjeve në mbrëmje. Dhe, që nga koha kur projektorët u vunë në punë, kampionët i kanë zhvilluar të gjitha ndeshjet në mbrëmje, edhe për të thithur sa më shumë tifozë në shkallët e stadiumit.

Në fakt, ashtu ka ndodhur, sepse interesimi ka qenë më i madh, por skuadra në fushë duket se ka pasur “alergji” nga dritat. Thuhet kështu, pasi ekipi i Edlir Tetovës nuk arrin të marrë dot rezultatin që pritet sa herë ka luajtur në mbrëmje në fushën e vet. Më konkretisht, bardhëjeshilët kanë luajtur plotë pesë takime me drita, nga të cilat kanë fituar një, barazuar tre dhe humbur një, pikërisht me Partizanin të enjten. Kampionët kanë mundur vetëm Dinamon me rezultatin 2-0, ndërsa kanë barazuar në ndeshjen e parë me Teutën, më pas Tiranën dhe Vllazninë.

Me vetëm një fitore në pesë ndeshje në shtëpi nuk janë rezultate që i shkojnë për shtat kryesuesve të kampionatit dhe në letër ekipit më të mirë në vendin tonë, pasi janë njëkohësisht edhe kampionët në fuqi. Edhe ndaj Elbasanit këtë të hënë është programuar që të luhet sërish nën ndriçimin artificial në orën 17:00 dhe mbetet për t’u parë nëse ecuria jo e mirë në këto orare do të vijojë edhe ndaj verdhebluve apo kampionët do të bëjnë kthesën dhe të blindojnë një herë e mirë edhe vendin e parë. Lajmi i mirë për teknikun Edlir Tetova është se pas shumë javësh, Egnatia nuk do të ketë më mungesa për arsye kartonësh, ndërsa nga të dëmtuarit shqetëson Edison Ndreca.HTUU

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb