Partizani vijon përgatitjet në Antalia, teksa kthimi i skuadrës së kuqe në kryeqytet pritet të bëhet më datë 18 janar. Drejtuesit vendosën të zgjasin qëndrimin e tyre në Turqi pas vendimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, që shtyu me 1 javë rifillimin e garës. Ndërsa grupi aktual vijon të marrë ngarkesën e duhur dhe ka zhvilluar 3 takime miqësore me skuadra të nivelit, drejtuesit po shohin mundësitë për të përforcuar ekipin.

Pas mbërritjes së Lum Rexhepit, tashmë synimet janë zhvendosur në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe në sulm. Aktualisht, drejtuesit e kuq janë të fokusuar të mbyllin marrëveshjen me një anësor të djathtë, ku dy emrat më të lakuar janë Ruben Liegon i Zvolles dhe Jetmir Krasniqi i Luganos, me kosovarin që është në majë të listës për shkak edhe të faktit se është shqiptar dhe nuk cenon numrin e të huajve në ekip. Krasniqi aktualisht është në grumbullim me zviceranët, teksa te Partizani presin që ai të shkëpusë marrëdhëniet me Luganon për të firmosur më pas si lojtar i lirë me kryeqytetasit.

Në sulm pistat kanë qenë të shumta, por për njërën arsye apo tjetrën, kanë dështuar të gjitha. Së fundmi janë përfolur boshnjaku i Sarajevës, Haris Hanxhiç dhe austriaku Tomislav Simkovic i Zalgris, por ende asgjë konkrete, me Gegën që vijon të jetë në pritje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb