Nga: JETON SELIMI *
Partizani dhe Tirana mund t’i luajnë ndeshjet e fazës së tretë jashtë kryeqytetit, ose në rastin më të mirë, disa prej tyre. Shkak është bërë vonesa e shtrimit të tapetit në stadiumin “Qemal Stafa”, ndërsa rikonstruksioni i pjesshëm i stadiumit tjetër, “Selman Stërmasi”, e bën të papraktikueshëm këtë impiant të paktën deri në mesin e muajit shkurt. Situata është alarmante, pasi të dyja ekipet janë të angazhuara fort në betejën për kurorën e kampionit, teksa të kuqtë ndajnë vendin e dytë me Skënderbeun në kuotën e 36 pikëve, 2 më pak sesa Kukësi kryesues, ndërsa Tirana është e katërta, me 35 pikë. Por nëse për “Selman Stërmasin” gjithçka u bë e ditur dy javë më parë, për “Qemal Stafën”, ishte drejtori Eduart Prodani ai që pohoi vonesat në punime. E sigurt është se “Qemal Stafa” nuk do të jetë gati për javën e parë të fazës së tretë (madje rrezikohet në disa javë), duke qenë se puna për të shtruar tapetin e gjelbër nuk ka shkuar sipas parashikimeve. Sipas Prodanit, gjithçka ka ardhur si pasojë e vonesave në mbërritjen e barit të porositur në Greqi. “Jemi prapa me punimet, por jo për fajin tonë. Është çështje biologjike, pasi tapeti do të vijë nga Greqia, aty ku ditët e fundit ka pasur ngrica. Kështu është shtyrë data për të ardhur tapeti i ri, i cili pritet të mbërrijë në Shqipëri në fillim të javës së ardhshme”.
Në “Qemal Stafa” po punohet vetëm për fushën, ndërsa ditë më parë u bë me dije se tapeti i ri po vjen pas investimit që ka bërë shoqëria që zotëron stadiumin, Federata Shqiptare e Futbollit, “Dixhitalb”-i dhe Partizani. Një shtyrje e afatit për tapetin e gjelbër detyrimisht do të bëjë që klubet e kryeqytetit të mos luajnë ndeshjen e parë në shtëpi. Prodani e konfirmon diçka të tillë, duke evidentuar që nuk do të ketë ndërhyrje të tjera të mëdha në ndërkombëtarin “Qemal Stafa”. “Normalisht, në këtë situatë që jemi, stadiumi nuk mund të jetë gati në rifillimin e kampionatit. Sigurisht që fusha erdhi si një investim i federatës në bashkëpunim me klubet. Nuk do të ketë më ndërhyrje të mëdha, me përjashtim të ndonjë gjëje të vogël, si për shembull lyerja e shkallëve”, – deklaroi drejtori i stadiumit “Qemal Stafa”, Eduart Prodani.
Nëse i hedhim një sy të shpejtë kalendarit të dy klubeve të kryeqytetit, do të vëmë re se Tirana është më e penalizuara, ndërsa dy ndeshjet e para të kësaj faze do t’i luajë si pritëse, ndërsa të kuqtë, nga ana tjetër, do të luajnë në transfertë. Sipas asaj që përflitet në klubin bardheblu, Tirana mund t’i luajë dy ndeshjet e para kundër Apolonisë dhe Flamurtarit në “Niko Dovana” të Durrësit, ndërsa Partizani shpreson që tapeti i ri të jetë gati për ndeshjen e javës së tretë kundër Skënderbeut.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: