Partizani priste Teutën në kryendeshjen e javës së 7-të, një duel direkt për kreun e superiores, por që luhej në një stadium të zbrazët pas vendimit të Komisionit të Disiplinës, që ndëshkoi kampionët e Shqipërisë me dy takime pa tifozë. Lerda “kopjon” formacionin me të cilin mposhti Tiranën me ndryshimin e vetëm se titullar niste sfidën Boldor dhe jo Bitri, ndërsa Shkmëbi nga ana tjetër i duhet të bëjë sërish pas Sherif Kallakun, që e nis takimin nga stoli.

Pjesa e parë është e luftuar dhe me emocione. Teuta kërcënon e para me Nikaç, që në minutën e 10-të devijon jashtë nga pozicion i volitshëm. E nëjta skenë paraqitet në kuadratin e durrsakëve tre minuta më pas, me Solomon që nuk gjen kuadratin. Në minutën e 36-të do të vijë një nga momentet kyç të sfidës, kur Romero merr kartonin e dytë të verdhë dhe lë 16 herë kampionët me 10 lojtarë, situatë që shfrytëzohet maksimalisht nga Teuta, e cila shënon dy minuta më pas me një gol të shkëlqyer të Avdylit.

Por të kuqtë nuk stepen dhe hidhen në sulm, ndërsa Lerda gati sa nuk futet në fushë kur Hammiti nuk akordon të verdhën e dytë për Lorenco Vilën. Në kohën shtesë kryeqytetasit do të barazojnë me një gol të shkëlqyer të Lorenc Trashit, që sheh vendosjen e gabuar të Stivi Frashërit dhe mposht gardianin durrsak në shtyllën e tij.

Pjesa e dytë do të jetë shumë e luftuar, por raste shënimi të mirëfillta nuk do të ketë. Kampionët, pavarësisht se janë në inferioritet numerik, shfaqen më mirë dhe këmbëngulin më shumë. Në minutën e 82-të Cinari ka një mundësi të mirë shënimi, por nuk devjon fort në kuadrat, ndërsa në kohën shtesë një inkursion i bukur i Trashit, finalizohet nga shkodrani, por mborjtja durrsake devijon në këndore. Do të mbyllet 1-1 në kryeqytet, me Partizanin dhe Teutën që ndajë nga një pikë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb