Pas fitores që arriti mbrëmjen e së dielës në Durrës ndaj Teutës, Partizani ka rimarrë kreun e renditjes në Superligën shqiptare. Ekipi i Partizanit fitoi në javën e 9­-të të kampionatit ndaj Teutës në “Niko Dovana” me rezultatin 0­-1. Pjesa e parë u mbyll në shifrat e bardha 0-­0, ndërsa në 45 minutat e dyta djemtë e Starovës kalojnë në avantazh me anë të Trashit në minutën e 71′. Një asis i talentit Bardhi që shfrytëzohet mjaft mirë nga mesfushori 23-­vjeçar duke e çuar topin në rrjetë. Me këtë fitore Partizani ruan kreun i shkëputur me tre pikë nga Skënderbeu.

Ilir Daja e nis mbarë, Tirana mposht Kukësin 2­-1 
Tirana e Ilir Dajës e nis me fitore. Bardheblutë kanë arritur një fitore të rëndësishme sot në shtëpi duke mundur Kukësin me rezultatin 2­-1.

Ndeshja nis me Tiranën përpara. Bardheblutë mundohen të avancojnë drejt portës së Koçit që në fillimin e ndeshjes duke treguar dëshirën për ta fituar këtë takim. Në minutën e 6 Bakaj provon nga distanca, por grushton portieri. Në minutën e 7 kryeqytetasit gjejnë golin. Goditje nga kendi për bardheblutë, Lika kroson drejt zonës, dalje e gabuar e portierit Koçi dhe gentian Muça godet me kokë duke e dërguar topin në rrjetë. 1-­0 dhe Tirana duket e çliruar.

Nga ana tjetër Kukësi hidhet në sulm për të kërkuar golin e barazimit. Pikërisht në momentin më të mirë të verilindorëve, bardheblutë gjejnë edhe golin e dytë. Në minutën e 38 do të vinte qendërmbrojtësi i verilindorëve, vlonjati Veliu, i cili në tentative për të larguar një top, do të shkaktonte autogol, duke i “dhuruar” golin e qetësisë bardhebluve. Në pjesën e dytë Tirana menaxhon avantazhin, kërkon të godasë në kundrasulm dhe të zotëroj topin në mesfush.

Trajnerët bëjnë zëvëndësimet e nevojshme me qëllime të ndryshme. Kukësi mundohet shumë të barazojë, por është i pafuqishëm të gjej rrugën e rrjetës. Në minutat shtesë Mici shënon një gol të bukur me të majtën në trekëndësh duke ngushtuar diferencat, pasi nuk ka më kohë. 2-­1 dhe Tirana arrin një fitore me shumë vlera në këtë sfidë, pasi ardhja e trajnerit të ri Daja, i ka dhënë një tjetër volum lojës së bardhebluve. Kjo ishte humbja e 3 për Kukësin në fazën e parë.

Skënderbeu mposht 2-­0 Flamurtarin, Salihi dhe Olainka lënë gjurmë

Skëndebeu ka regjistruar fitore në shtëpi ndaj Flamurtarit me rezultatin 2-­0. Vendasit krijuan raste të njëpasnjëshme goli, por nuk arritën të realizonin duke e mbyllur pjesën e parë në shifrat e bardha 0­-0.

Në 45 minutat e dyta pavarësisht rasteve të shpërdorura, korçarët kalojnë në avantazh me anë të Salihit. Bernard Berisha fiton një 11­ metërsh, të cilin e kthen në gol sulmuesi shkodran, Hamdi Salihi. Edhe pse në avantazh, kampionët vihen në vështërsi në minutat e fundit të sfidës nga vlonjatët me anë të Lushtakut por e kalojnë me sukses.

Ndërkohë futja e Latfit në fushë e gjallëron akoma më shumë sulmin e bardhekuqve, të cilët arrijnë ta mbyllin takimin 2­-0 me golin e Olainkës në minutën e fundit të shtesës. Me këtë fitore, Skëndërbeu merr kreun përkohësisht deri në ndeshjen e nesërme të Partizanit.

Tërbuni ndal Laçin në barazim
Tërbuni nën drejtimin e trajnerit të ri Gargano ka filluar të shfaqë një tjetër fytyrë. Skuadra pukiane ka barazuar sot në shtëpi 1-­1 ndaj Laçit duke marrë një kështu një tjetër pikë. Laçi ishte më agresiv pjesën e parë dhe gjen golin me anë të Mustafës dhe kështu kurbinasit arrijnë të kalojnë në avantazh. Xhejms pason për mesfushorin nga Vushtria që brenda zonës godet topin që Haxho nuk e kontrollon dot dhe shënon. Kur mendohej se po shkonte gjithçka me fitoren e Laçit në këtë pjesë, janë vendasit e Tërbunit që në minutat shtesë të pjesës së parë realizojnë me anë të Dhramit.

Kaq mjafton për gjyqtarin që vërshëllen dy herë për përfundimin e fraksionit të parë të lojës. Në pjesën e dytë ka më pak histori. Tërbuni mbrohet mirë dhe nuk i lë hapërisa Laçit. Kurbinasit nga ana tjetër nuk arrijnë të gjejnë golin e avantazhit dhe mbyllet në barazim 1­-1 kjo sfidë. Me këtë rezultat, Tërbuni shkon në 4 pikë, por mban vendin e fundit, ndërsa Laçi është në vendin e pestë me 11 pikë.

Bylisi merr fitoren e parë, mund Vllazninë 3-­1
Bylisi ka shijuar fitoren e parë në kampionat. Skuadra ballshiote e ka bërë këtë duke mundur një rival direkt në luftën për titull si Vllaznia e Shkodrës. Ndeshja e sotme e luajtur në stadiumin “Adush Muça” u mbyll në shifrat 2-­1 për ekipin vendas që lë kështu fundin e tabelës. Sa i përket takimit vendasit ishin më të rrezikshëm në minutat e para, duke arritur të kalojnë në avantazh në minutën e 13’ me Ledion Muçajn. Barazimi është arritur vetëm në minutën e 34’, ku uruguajani Soza mbylli me gol kundërsulmin e kuqebluve. Pas pushimit ishin përsëri më kërkues lojtarët e Bylisit. Prej minutës së 53’ Vllaznia mbeti me 10 futbollistë, pasi portieri Andrija Dragojeviç mori karrtonin e dytë të verdhë. Malazezi priti topin në dalje të zonës. Dragojeviç u zëvendësua nga i riu Alen Sherri, ndërsa jashtë fushe doli Jetmir Sefa. Përpjekjet e Bylisit u shpërblyen me gol në minutën e 74’ me Brunild Pepën, që shënoi duke i dhënë fitoren e artë në këtë sezon mallakastriotëve. Në minutat e fundit të sfidës vendasit gjejne edhe golin e tretë. Renato Hyshmeri realizoi duke vulosur takimin në 3-­1. Një fitore shprese për Bylisin që ngjitet në kuotën e 5 pikëve e parafundit po aq sa Vllaznia.
Renditja

(Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb