Ky fundvit po karakterizohet nga një revolucion te Partizani. Klubi i kuq ka vendosur për shitjen Rrapajt, Hadrojt dhe Carës deri më tani.

Të tre këta lojtarë do t’i bashkohen kampionatit ukrainas respektivisht te skuadrat e Kolos, Polisia dhe Oleksandrias. Partizani pritet të arkëtojë afro 1 milionë euro nga shitjet e tri liderëve të ekipit. Sakaq, drejt shitjes është edhe Kristian Mba. Nigeriani ka oferta nga Sllovenia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në ditët në vijim pritet të ketë lajme konkrete.

AFRIMET – Të kuqtë po përpiqen të zëvendësojnë të larguarit dhe janë përqendruar në tregun e huaj, ku kanë arritur të mbyllin marrëveshjet për afrimet e dy lojtarëve. Ismaila Sodiq, 21-vjeç vjen nga kampionati nigerian dhe luan si mbrojtës i djathtë. Nisur nga opsionet e pakta në këtë rol, pritet që afrikani të aktivizohet menjëherë si titullar. Partizani për kartonin e tij ka paguar 50 mijë euro, që shkojnë në arkat e Remo Stars, klubi zotërues i kartonit të të riut. Lojtari tjetër që vjen është Dmitri Podstrelov, njohje e vjetër e Partizanit që kur sfidonte BATE Borisovin në Champions League dhe në fushë ishte edhe 26-vjeçari. Bëhet fjalë për një lojtar me karrierë të pasur në Bjellorusi. Por Partizani do të jetë një eksperiencë ndryshe për të, pasi më parë ka luajtur vetëm një herë në Kazakistan sa i përket përvojave jashtë vendit.

REVOLUCIONI – Me largimin e tre lojtarëve kryesorë dhe një tjetri drejt asaj rruge, Partizani i 2025-ës pëson ndryshime të mëdha. Mund të themi se nis me “baste” që duhen fituar. Kanë ardhur dy të huaj dhe këta të fundit në të shkuarën kanë treguar se kërkojnë kohë për tu ambientuar me vendin dhe futbollin tonë. Koha nuk premton shumë, por mbetet për tu parë. Formacioni ndryshon shumë në emra dhe në pamje të parë humbet shumë cilësi. Sodiq vendoset menjëherë nga e djathta e mbrojtjes, teksa në mesfushë me organikën aktuale pritet titullar një mes Kotes dhe Taipit së bashku me Mehmetin dhe Ismailin. Në këtë repart mund të luajë edhe Podstrelov, por si rol natyral ai ka sulmin dhe mund të konsiderohet zëvendësues i Carës apo Mba.

33

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb