E nesërmja do të jetë një ditë e paharrueshme për tifozët e Partizanit, të cilët janë gati të festojnë në mënyrën më të mirë të mundshme një titull kampion që rikthehet në shtëpinë e tyre pas plot 26 vitesh mungesë. Në vitin e largët 1993, ishte Partizani i drejtuar nga Sulejman Starova ai që çonte lart për herë të fundit trofeun. Nesër, kapiteni Alban Hoxha do të bëjë të njëjtën gjë në stadiumin “Selman Stërmasi”, me të kuqtë e Gegës, që do të festojnë një titull mëse të merituar.

Partizani Festa
Partizani Festa

Por jo vetëm kaq, atmosfera festive do të vijojë dhe pas ndeshjes ndaj Kukësit dhe ceremonisë së dorëzimit të trofeut. Drejtuesit e Partizanit kanë organizuar një superkoncert në sheshin “Nënë Tereza” për të gjithë fansat e kuq dhe jo vetëm. Nën moderimin e Hygerta Sakos, Aulona Mustës dhe Koço Devoles, tifozët do të shijojnë një mbrëmje që do të pasurohet me këngët e Aleksandër Gjokës, Eneida Tarifës, Shpat Kasapit, Gjikos dhe mjaft këngëtarëve të tjerë.

Gjithashtu do të zhvillohet parada e kampionëve. Autobusi me ekipin e Partizanit do të përshkrojë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa me të mbërritur në sheshin “Nënë Tereza”, qielli do të ndriçohet nga qindra fishekzjarre, që do të celebrojnë kampionët e rinj të Shqipërisë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb