Pa bujë, pa zhurmë dhe në qetësi totale. Ky derbi po përgatitet ndryshe nga sa ishim mësuar te Partizani, kur përpara ngjarjes sportive më të rëndësishme të kampionatit shqiptar, nuk mungonin deklaratat bombastike, hiperbolizimet që shkonin deri në kufijtë e normales.

Kësaj radhe është ndryshe. Madje jo vetëm derbi, por krejt fillimi i kampionatit. Pak dalje publike, përveçse atyre që janë zyrtarisht të planifikuara para apo pas ndeshjes. Një profil i ulët ky që është zgjedhur enkas nga drejtuesit e kuq. Këtë sezon edhe fjala “titull” përdoret shumë rrallë në daljet publike, çka sjell largimin e eurofisë edhe në fitoret bindëse si ajo ndaj Flamurtarit. Trajneri Skënder Gega kërkon me çdo kusht të kompaktësojë grupin e lojtarëve në 9 ndeshjet e fazës së parë, duke përfituar edhe nga ndalesat e rivalëve, ndërsa shenjat e para po duken. 10 pikë, loja në rritje dhe golat që po vijnë.

Tani është derbi dhe në derbi zerohen epërsitë ndaj rivalit, por një si Gega derbe ka kaluar shumë dhe ka se çfarë t’u mësojë të gjithë atyre që në fushë e kane për herë të parë një Tirana-Partizani, ndeshjen më të rëndësishme të futbollit tonë.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb