Kampionët rikthehen në krye! Partizani ka mposhtur Skënderbeun në takimin e luajtur në “Selman Stërmasi” dhe e mbyllin fazën e parë të kampionatit në vendin e parë. Kryeqytetasit kanë fituar 3-1 dhe kanë blinduar kreun për herë të parë në këtë sezon dhe duke lënë pas nisjen e mbrapshtë të kampionatit.

Madje 16 herë kampionët nuk e humbasin rastin duke parë që rivalët kishin ndalur njëri-tjetrin një ditë më parë. E nisin me intesitet dhe me gol. Një dyluftim i bukur i Bardhit sjell goditjen e këndit ku Trashi “pikturon” krosin perfekt për kokën e Egzon Belicës, që thyen Koliçin në minutën e tretë.

Partizani dominon, ndërsa Skënderbeu stepet nga nisja e kampionëve. Të kuqtë do të dyfishojnë në minutën e 19-të. Bruno Telushi ekzekuton shkëlqyeshëm një goditje dënimi dhe përfiton nga vendosja e keqe e murit për të thyer Koliçin në shtyllën e tij. Skënderbeu përpiqet të rikuperojë diçka, por Bregu “fiket” shpejt për shkak të gjendjes gripale dhe detyrohet të largohet shpejt nga fusha.

Por epërsia e dyfishtë i vë në gjumë kampionët dhe Skënderbeu ndërton në fundin e pjesës së parë një aksion të bukur që nxjerr Gripshin të lirë në zonë, me anësorin që shkurton shifrat dhe rikthen korçarët në ndeshje. Madje Ilir Daja orienton të tijtë në sulm dhe në fillimin e pjesës së dytë, por Partizani nuk vuan presionin e rivalit dhe në minutën e 60-të vë në kasafortë tre pikët me golin e bukur të çinarit.

Më pas Lerda largon Trashin, Telushin dhe Brojën ndërsa Daja vuan shumë mungesat dhe aktivizon lojtarë të rinj që nuk “gërrvishin” dot në prapavijën e kuqe dhe Partizani arkivon tre pikët, që i japin vendin e parë me 17 pikë, duke lënë pas shpine Bylisin me 16 pikë dhe dyshen Vllaznia, Teuta me 15 pikë. Ndërsa Skënderbeu mbetet në vendin e shtatë me 13 pikë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb