Partizani ka rinisur dje stërvitjet, këtë herë në funksion të ndeshjes së radhës kundër Vllaznisë, të shtunën në “Loro Boriçi” në orën 19:30.
Trajneri Veselinoviç ka drejtuar një seancë jo me ritëm maksimal, pasi lojtarët më së shumti nga aspekti fizik punuan për rigjenerimin e muskujve. Taktika gjithashtu ka marrë rëndësinë e vet, teksa Vllaznia do të studiohet me detaje edhe nëpërmjet analizës me video.
Skuadra e vetme që ka arritur ta mposhtë Partizanin në këtë edicion janë pikërisht shkodranët në javën e parë me një gol të Alivodës, tashmë i larguar. Në dispozicion të Veselinoviçit kanë qenë të gjithë lojtarët, me përjashtim të Qirkos.
Në stërvitje është bashkuar edhe Bintsuka, i cili qe rikthyer vetëm të premten në darkë dhe nuk ishte në gjendje për të luajtur në ndeshjen me Elbasanin në transfertë, e barazuar me shifrat 1-1. Kongolezi qe i angazhuar me kombëtaren e Kongos.