Te Partizani kishte shumë dyshime rreth dëmtimit të Paulo Buxhelajt, por fatmirësisht për lojtarin dhe ekipin alarmi ka rënë.
Dje kanë dalë përgjigjet e rezonancës magnetike të kryer nga mbrojtësi i majtë dhe mjekët kanë konstatuar vetëm një edemë në pjesën e gjurit, çka është një dëmtim lehtësisht i kalueshëm. Deri dje është dyshuar për një problem në menisk apo ligament, që do të ishte goditje e rëndë për karrierën e lojtarit, por fati ka qenë me të në këtë rast.
Buxhelaj pritet të mungojë rreth tri javë. Ai do të bëjë disa ditë pushim dhe më pas do të nisë stërvitjen individuale derisa të jetë në gjendje t’i bashkohet ekipit. Sa i përket pjesës tjetër, e gjithë skuadra janë të gatshëm, përfshirë edhe Mehmetin dhe Hadrojn, që patën vështirësi fizike në derbi. Ka nisur zyrtarisht misioni “Egnatia”.