NGA JETON SELIMI*

Një fitore e vuajtur, një fitore ku Partizanit iu desh të kalonte tri herë në avantazh përballë Laçit. Një fitore që i bën të kuqtë të arkivojnë fitoren e 9-të radhazi dhe të ngjiten në kuotën e 28 pikëve, në krye të tabelës. Por, mbi të gjitha, janë rezultate të tilla që në fund të kampionatit mund të bëjnë diferencën.

Laçi priste kryeqytetasit në “Elbasan Arena”, pasi stadiumi i tij nuk është ende gati, ndërsa 45 minutat e para prodhojnë dhe emocionet më të mëdha në këtë takim. Minuta e katërt dhe Partizani kalon në avantazh. Sukaj shërben për Astrit Fazliun e kthyer nga dëmtimi dhe këmbëshpejti ndëshkon Vujadinoviçin. Por ende pa zbritur me këmbë në tokë nga euforia e golit, Partizani ndëshkohet. 60 sekonda më pas, është Gocaj që shënon në një pozicion të prirët golin e barazimit.

Ekipet shohin nga portat respektive për golin e epërsisë. Në minutën e 15-të Laçi shpërdoron avantazhin, kur Kruja, i shërbyer bukur nga Xhejms, heziton të godasë që në fillim dhe i jep mundësi Xhikës të devijojë në këndore. Partizani do të arrijë të gjejë golin e dytë në të 21-ën. Sukaj hedh një top në zonë dhe Buljan devijon në portë, duke realizuar një autogol të pafat, por që u jep të kuqve sërish epërsinë.

Minuta e 30-të dhe Fazliu provon edhe njëherë duelin me Vujadinoviçin, por kësaj radhe del fitues malazezi. Aksion tjetër te zona e të kuqve, ku Xhejms shërbehet nga thellësia dhe depërton në zonën e Xhikës dhe gjuan rreptë e saktë me të djathtën, duke barazuar dhe njëherë shifrat. Pjesa e parë do të mbyllet me një gabim të Vujadinoviçit, që kërkon të largojë topin, por godet Sukajn dhe sfera përfundon ngjitur me shtyllën pingule.

Pjesën e dytë Partizani do ta nisë më mirë, kur në të 50-ën është Mentor Mazrekaj ai që me një goditje të shkëlqyer nga jashtë zone, i jep Partizanit avantazhin e tretë në këtë ndeshje. 4 minuta më pas është Fazliu që godet fluturimthi, por topi do të shkojë jashtë. Minuta e 67-të dhe është Sukaj që shkarkon të majtën, por gjuajtja shkon sipër traut. Minutat ikin, ndërsa Partizani tregohet më i kujdesshëm dhe administron fitoren e parë në fazën e dytë, ndërsa Laçi do të mbetet në vendin e 6-të, me 11 pikë.

Skënderbeu
Skënderbeu vuan, por arrin të gjejë një fitore të rëndësishme në Korçë kundër Vllaznisë në krizë të plotë. Ishte Sebastian Sosa ai që zhbllokoi sfidën që në minutën e 11-të. Asisti perfekt i Sefës u shfrytëzua nga uruguaiani, që nuk i la asnjë shans Orges Shehit, duke e shtyrë topin në rrjetë. Skënderbeu nuk e humbi busullën dhe mori menjëherë kontrollin e sfidës, duke kërcënuar 2 minuta më pas me nigerianin Peter Olajinka, por goditja e afrikanit ishte qendrore.

Goli ishte në ajër dhe erdhi pak sekonda më pas. Hamdi Salihi përfitoi nga një krosim i Prognit, duke vendosur baraspeshën. Në të 64-ën, Radas tentoi portën direkt nga goditja e dënimit në të majtë, por topi u grushtua nga portieri shkodran, ndërsa në të 68-ën, Marku Pengoi në zonë Olayinkën. Për arbitrin nuk ka dyshime, 11-metërsh dhe Hamdi Salihi ndëshkoi sërish skuadrën e tij. Ndeshja u vendos përfundimisht nga Olajinka në minutën e 80-të. Nigeriani nuk fali me një të djathtë të saktë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb