NGA JETON SELIMI

Rivaliteti mes Partizanit dhe Skënderbeut tashmë ka marrë një tjetër formë, e cila mund të konsiderohet fare mirë luftë e hapur mes dy klubeve që pretendojnë titullin kampion. Si të kuqtë, ashtu edhe korçarët, bashkëkryesojnë pas javës së 7-të në kuotën e 19 pikëve dhe nuk njohin asnjë humbje deri më tani, ndërsa janë shkëputur me 6 pikë nga ndjekësi më i afërt, Kukësi. Por, në javën e tetë dy ekipet do të përplasen mes tyre në “Qemal Stafa”, ndërsa Partizani ka dorëzuar një shkresë në federatë, ku kërkon zbatimin e kalendarit.

Skënderbeu, për shkak të impenjimeve europiane, ka gjetur mbështetjen e federatës, e cila ia ka bërë më të lehtë kalendarin, duke spostuar ndeshjet e Kupës së Shqipërisë dhe duke i çuar për ditën e hënë të gjitha takimet në kampionat, kur korçarët janë të impenjuar në Europë.

Por diçka e tillë nuk shikohet aspak mirë nga Partizani, i cili nuk pranon kurrsesi që takimi Partizani-Skënderbeu të zhvendoset ditën e hënë, ndërsa kalendari e parashikon për të shtunën më 24 tetor. Të kuqtë pranojnë që ndeshja në fjalë të mund të luhet maksimumi ditën e diel, ndërsa në këtë vendim duket se ndikon dhe qëndrimi i tifozërisë së kuqe, e cila nuk do kurrsesi që të luajë një ndeshje në fillim të javës, pasi kjo reflektohet edhe në shkallët e stadiumit.

Nga ana e tjetër, ende nuk ka një reagim zyrtar nga Federata Shqiptare e Futbollit, por e shkuara e afërt tregon se FSHF-ja nuk e mori në konsideratë as kërkesën e Kukësit për ta zhvilluar ndeshjen me Skënderbeun sipas kalendarit të përcaktuar më parë. Në shkresën zyrtare të klubit të kuq, të publikuar edhe në faqen zyrtare në “Facebook”, Partizani përmend rregulloren, duke nënvizuar se, “bazuar në kalendarin e publikuar nga Sektori i Garave, ndeshja e lartpërmendur rezulton të jetë parashikuar për t’u zhvilluar ditën e shtunë, datë 24.10.2015.

Nga ana tjetër, duke marrë në konsideratë parashikimet e Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike Sezoni 2015-2016, jemi të vetëdijshëm për angazhimet e K.F. ‘Skënderbeut’ në kompeticionin ndërkombëtar UEFA Europa League dhe mundësinë për shtyrjen e ndeshjes ditën e diel, datë 25.10.2015. Klubi ‘Partizani’ bën me dije se nuk do të pranojë asnjë kërkesë për shtyrje tjetër të ndeshjes nga ana e K.F. ‘Skënderbeut’, përveç sa është parashikuar në rregulloren e lartpërmendur”, lexohet ndër të tjera në deklaratën e të kuqve.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb