Nga: JETON SELIMI *
Kryeqyteti nuk do të dridhet nga emocionet sportive këtë të premte. Derbi i madh i Shqipërisë, Tirana-Partizani (bardheblutë janë pritës kësaj radhe), nuk do të luhet sipas programit, pasi është shtyrë me dy javë. Tifozët nxituan sot në mëngjes për të prerë biletat e ndeshjes më të zhurmshme të kampionatit, por u përballën me sportelet e mbyllura. Arsyeja? Eksperti grek që ka bërë shtrimin e tapetit të ri në janar, ka bërë inspektimin e radhës, duke e cilësuar si të papraktikueshëm dhe për disa ditë. Lajmi nuk është pritur mirë nga tifozëritë, që kanë përgatitur koreografitë e tyre për këtë ndeshje. Në një komunikim të mëparshëm për mediat, drejtori Prodani kishte deklaruar se “fusha mbase mund të jetë gati për derbin, por më parë duhet të bëhet edhe një kontroll”, ndërsa federata, nga ana e saj, nxitoi të publikonte ditën dhe orarin zyrtar, e premte, ora 18:00, si momentin kur do të shkelmohej topi nga mesi i fushës. Të hënën, pas një komunikimi me kompaninë televizive “Sky Sport”, ndeshja u zhvendos edhe me 60 minuta, në orën 19:00. Gjatë ditës së djeshme, u fol që klubet dhe Federata Shqiptare e Futbollit kishin gjetur një marrëveshje për ta zhvendosur takimin e shumëpritur për në 12 maj, por pasdite, klubi i kuq ka njoftuar zyrtarisht se kërkon që ndeshja të luhet në datën e përcaktuar në kalendar. “Klubi ju informon se nuk ka rënë dakord që derbi i kryeqytetit Tirana-Partizani të zhvillohet në datën 12 mars. Zyrtarisht klubi i është drejtuar Sektorit të Garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit me një shkresë, ku i është kërkuar organit kompetent për mbarëvajtjen e kampionatit, që t’i përmbahet kalendarit të publikuar dhe zhvillimin e ndeshjes sipas datës së përcaktuar më parë, pra më 27 shkurt dhe jo më 12 mars”, thuhet në njoftimin për shtyp të Partizanit. Ende nuk dihet se ku dhe në çfarë ore do të zhvillohet ndeshja, por tanimë diçka është e sigurt: tifozët e të dyja skuadrave duhet të bëhen gati për të udhëtuar jashtë kryeqytetit për të mbështetur ekipet e tyre. Nuk është hera e parë që ndodh një situatë e tillë me një derbi të Tiranës. Në të shkuarën Partizani dhe Dinamo kanë luajtur dy përballje mes tyre jashtë kryeqytetit, një herë në Kavajë dhe herën tjetër në Lushnjë, për shkak të problemeve me stadiumet. Tani i takon klubit bardheblu që të gjejë një stadium për ndeshjen, duke qenë se është organizatori, por në disa stadiume jashtë kryeqytetit ka hasur në kundërshtinë e policisë, që nuk merr përsipër rendin, pasi pritet një eksod i madh tifozësh nga të dyja ekipet, që gjatë rrugës mund të shkaktojnë jo pak incidente. Një nga alternativat e shqyrtuara edhe nga FSHF-ja, është zhvendosja e ndeshjes Teuta-Skënderbeu në një ditë tjetër, për t’i lënë hapësirë derbit që të luhet në Durrës, një stadium që ofron kushte të mira për zhvillimin e një ndeshjeje të tillë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: