Partizani U-19 i trajnerit Genc Tomori mund të bëhet ekipi i parë shqiptar që mund të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve të kësaj grupmoshe. Të rinjtë e kuq u shpallën Kampionë të kategorisë Superiore, ku në finale fituan 2-1 ndaj Shkëndijës së Tiranës. UEFA prej dy vitesh në kalendarin e saj ka shtuar edhe Ligën e Kampionëve për grupmoshën U 19.

Partizani i trajnerit Tomori është më i favorizuari për të marrë pjesë, pasi është shpallur Kampion në Kategorinë Superiore edhe fitues i Superkupës për sezonin 2014-2015. Kjo është një arritje historike jo vetëm për klubin e kuq por edhe për futbollin shqiptar në tërësi. Partizani mund të humbasë pjesëmarrjen në Champions-in e të rinjve vetëm nëse Skënderbeu i Josës përfshihet në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Vetëm nëpërmjet këtij skenari, të rinjtë e Partizanit mund të humbasin pjesëmarrjen në Champions. Shorti i kësaj veprimtarie do të hidhet më 27-të Gusht në Monako, që përkon me periudhën ku janë përcaktuar të gjitha skuadrat pjesëmarrëse në Champions-in e të rriturve.

Nëse Partizani U-19 do të marrë pjesë në këtë veprimtari përveç përfitimeve ekonomike do të shërbejë edhe për afrimin e elementëve cilësorë nga skuadra të tjera, të cilave u jepet një shans për t’u prezantuar në Europë. U 19 ka disa lojtarë të spikatur në përbërje, të cilët janë promovuar edhe në ekipin e parë.

(er.shk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb