DERBI I KRYEQYTETIT- Trajneri i Partizanit Skënder Gega nuk ka dashur të zbulojë asgjë përpara derbit të kryeqytetit.

Grumbullimi në Elbasan dhe dyert e mbyllura për median në seancën e fundit stërvitore e tregojnë qartë këtë gjë. Një strategji e ndjekur gjatë gjithë kësaj jave nga tekniku i të kuqve, që ka urdhëruar ruajtjen e profilit të ulët për ekipin e tij, pa komente të bujshme dhe eufori të tepruar. Qetësia e Gegës dhe skuadrës së tij mbështetet edhe mbi dyshimet e pakta që ka përpara sfidës së rëndësishme për sa i përket formacionit.

Dyshimi i vetëm ka të bëjë me Trashin, i projektuar në fashën e majtë. Ndërkohë, pjesa tjetër e ekipit është gati për të zbritur në fushën e lojës. Kështu, porta do t’i besohet kapitenit Hoxha, ndërsa përpara tij do të luajnë në mbrojtje Ibrahimi, Belica, Atanda dhe një mes Trashit dhe Kalarit.

Në mesfushën me pesë lojtarët kanë detyra të ndryshme. Hila dhe Telushi duhet të mendojnë më shumë për prishjen e aksioneve të kundërshtarëve dhe ndërtimin e lojës së Partizanit. Me detyra më ofensive janë Asani, Mala dhe Bardhi që duhet të ndihmojnë Mensah, të vetëm në vijën e parë të sulmit.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb