Gruaja e Mikael Shumakerit, Korina, ka ruajtur gjithnjë me shumë rreptësi detajet e gjendjes së legjendës së Formulës 1 për më shumë sesa një dekadë, që prej aksidentit në ski që i ndryshoi.

Por Shumaker thuhet se është parë në publik për herë të parë pas 11 vitesh, pasi ka marrë pjesë në dasmën e vajzës Xhina-Maria. 27-vjeçarja u martua me bashkëshortin Iain Bethke të shtunën e kaluar në një ceremoni magjepsëse në vilën e familjes në Majorka. Mediat në Gjermani kanë raportuar se legjenda e Formulës 1 ishte i pranishëm në dasmë gjatë festimeve. Shumaker vazhdon të kërkojë kujdes mjekësor gjatë gjithë kohës pas aksidentit të tij në ski që ndryshoi jetën më shumë sesa një dekadë më parë. Ai u rrëzua teksa bënte ski në Alpet Franceze, duke përplasur kokën në një shkëmb. Megjithëse mbijetoi, shtatë herë kampioni i botës kaloi 1 muaj në koma.

Që kur u lejua të kthehej në shtëpinë e familjes në Liqenin e Gjenevës në shtator 2014, ai është në kujdesin e gruas së tij, Korina, dhe të një ekipi mjekësh. Duke mbrojtur ashpër privatësinë e burrit të saj, Korina ka lejuar vetëm disa miq dhe të afërm të besuar të zgjedhur që ta vizitojnë ish-pilotin, dhe vetëm një pjesë e vogël e njerëzve brenda dhe jashtë familjes Shumaker thuhet se dinë detajet e gjendjes së tij. Por pjesëmarrja e Shumakerit në dasmën e vajzës së tij mund të jetë sinjali i një ndryshimi në qëndrimin e familjes. Edhe pse më parë ai ishte dërguar nga shtëpia e familjes në vilën e tyre në Majorka, këtë herë ishte ndryshe pasi raportohet se Shumaker është shfaqur para të gjithë të ftuarve të tjerë në dasmë. Për të siguruar privatësinë e legjendës së F1 u morën masa të forta, teksa thuhet se të gjithë të ftuarit duhej të dorëzonin celularët e tyre në derë, në mënyrë që askush të mos mund të bënte fotografi të 55-vjeçarit. Por një paraqitje e parë për shumë vite përpara anëtarëve të familjes më të gjerë dhe të tjerëve, është një shenjë se qasja e Korinës mund të jetë zbutur.

Gazeta spanjolle “Ultima Hora” raportoi se ceremonia zgjati rreth gjysmë ore dhe se të çifti i thanë “po” njëri-tjetrit rreth orës 16:00. Vila ku u organizua ceremoninë u ble nga Korina në vitin 2017, e cila thuhet se ka paguar rreth 27 milionë paund për blerjen e pronës nga presidenti i Real Madridit, Florentino Perez. Por kjo mund të mos jetë ngjarja e fundit familjare në muajt e ardhshëm që mund të shohë Mikael Shumakerin të shfaqet përsëri para njerëzve. Ndonëse ende nuk është konfirmuar fejesa, modelja daneze, Laila Hasanoviç, la të kuptohet se i dashuri i saj, Mik Shumaker, djali i legjendës së F1, i ka propozuar, duke treguar edhe unazën e diamantit në gishtin e saj në një postim të bërë në “Instagram”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb