*Mungon kryebashkiaku i Mitrovices se Veriut, Kryebashkiaku i Jugut, Agim Bahtiri: Unë jam zot shtëpie në Mitrovicë
MITROVICE-Filloi sot heqja e barrikadës dhe lirimi i urës kryesore të Ibërit në Mitrovicë. Ky hap hidhet pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh, saktësisht që nga përfundimi i luftës së Kosovës.

U hoqën të gjitha dilemat. Ashtu sikur që ishte paralajmëruar, sot në ora 10:00, filluan punimet për rivitilzimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, projekt ky i financuar nga BE-ja, realizuar sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Fillimisht kompania “Jehona”, e kontraktuar për largimin e barrikadës, largoi rrethojat në cepin jugor të urës, për të fillua më pastaj punën ekskavatorët dhe kamionët për largimin e pishave të mbjella dhe dheut të vendosur nga serbët në cepin verior të urës. Punimet vijuan nga “Sintek-K-ing” , një kompani e kontraktuar nga ana e Bashkimit Evropian.

Tahiri
Ministrja për Dialog Edita Tahiri deklaroi se sot kanë filluar punimet për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës mbi lumin Ibër dhe se kjo është një datë e rëndësishme historike për shtetin e Kosovës sepse sot po fillon historia e bashkimit të urës pas gjashtëmbëdhjetë vjetëve që nga fundi i luftës.

Sipas njoftimit të lëshura nga Qeveria, ministrja Tahiri uron gjithë qytetarët për këtë ngjarje të rëndësishme e cila do të bëjë urën një sinonim të lëvizjes së lirë të gjithë qytetarëve dhe automjeteve me një zhvillim sipas standardeve evropiane dhe ura e Ibrit do të jetë urë për bashkimin dhe bashkëpunimin mes qytetarëve dhe komuniteteve.

“Që nga çlirimi i Kosovës pengesat dhe barrikadat mbi urën e lumit Ibër na kanë shqetësuar të gjithëve si institucionet shtetërore ashtu edhe qytetarët e Kosovës, prej sot me vendosmërinë e Bashkimit Evropian ky problem po zgjidhet dhe më në fund ura do të jetë simbol ku njerëzit do të lëvizin lirshëm të pa penguar ashtu siç e kanë merituar në shtetin demokratik të Kosovës’, ka thënë Tahiri.

“Me këtë rast, Qeveria e Kosovës i përgëzon edhe njëherë qytetarët e Mitrovicës për kujdesin e treguar gjatë kësaj kohe të bllokadës një vjeçare të mosfillimit të punimeve dhe në të njëjtën kohë po ashtu falënderojmë organet e sigurisë shtetërore të Kosovës, Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe EULEX-in për kontributin në ruajtjen e rendit dhe qetësisë, tha Tahiri.

Kryebashkiaku Agim Bahtiri: Unë jam zot shtëpie në Mitrovicë

mitrovicekreukomunes
Fillimin e punëve e përcolli nga afër kryetari i komunës, Agim Bahtiri por mungoi kolegu i tij nga veriu Goran Rakiq. Ndërkohe qindra qytetarë dhe një numër i madh i medieve ndodheshin aty për tu bindur në fillimin e punëve për rivitalizimin e urës. Fillimi i punëve u mirëprit nga qytetarët dhe me këtë rast nuk pati as më të voglin problem.
Kryetari Bahtiri u shpreh i lumtur për fillimin e punëve për rivitalizimit e urës, duke e quajtur ditën e sotme si një ditë të mirë për qytetarët e të dyja pjesëve të qytetit të Mitrovicës.
“Sot është një ditë e mirë për të gjithë qytetarët e Mitrovicës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Siç po shihni, erdhi radha që barrikada të largohet, sepse ura nuk është vend i barrikadave, por shërben për ofrimin e njerëzve. Menjëherë pas largimit të barrikadës dhe pastrimit të urës, do të filloj rivitalizimi i gjithë urës, për të bërë të mundshëm bashkimin e qytetit dhe të qytetarëve, që ata të lëvizin e qarkullojnë lirshëm, bashkë me automjetet dhe mallrat e tyre. Dhe kjo do të ndodhë në janar të vitit të ardhshëm, kur është afati për kryerjen e punëve”, tha ai.

Kryetari Bahtiri natyrisht se nuk harroj t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Mitrovicës, të veriut dhe të jugut, për të cilët tha se me sjelljet dhe maturinë e tyre kanë krijuar stabilitet në qytetin e Mitrovicës.

“Natyrisht se nuk është harruar as rindërtimi i xhamisë që ka ekzistuar këtu në cepin verior të urës. Ne kemi konstatuar në Bruksel se vendi ku ka qenë xhamia është pronë e Bashkësisë Islame dhe xhamia do të fillojë së ndërtuari aty në një kohë të përshtatshme jo të largët”, ka thënë Bahtiri.

Ndërsa i pyetur nga Klan Kosova se përse nuk kishte zyrtarë nga Mitrovica e Veriut tek ura kur fillojë largimi i “parkut të paqes”, Bahtiri tha se “në Mitrovicë zot shpie është kryetari i Mitrovicës”

Megjithate ai mungesën e kryetarit të veriut të Mitrovicës Goran Rakiq e ka arsyetuar duke thënë se aktualisht nuk ndodhet në Kosovë.
Sipas marrëveshjes së Brukselit të arritur në gusht të vitit të kaluar, krahas rivitalizimit të urës parashihet edhe rekonstruimi i rrugës kryesore në veri të këtij qyteti, që do të shndërrohet në zonë për këmbësorë, përkatësisht shesh dhe do të mbaj emrin e ‘Kral Petrit’.

Heqja e barrikadave me ndihmen e BE
Heqja e barrikades parashikon lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve dhe automjeteve ashtu siç ka qenë gjithnjë.

“Rivitalizimi i urës, investim ky në vlerë mbi 1.2 milion euro dhe i financuar nga Bashkimi Evropian, do të kontribuojë në mënyrë të konsiderueshme në lehtësimin e kontakteve ndërmjet njerëzve nga Mitrovica e Veriut, Mitrovica e Jugut dhe më tej. Me fillimin e implementimit të kësaj marrëveshjeje, Ura e Mitrovicës do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve në Kosovë”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Ura e Mitrovicës pritet të hapet për këmbësorë dhe për automjete në të dyja drejtimet sipas rekomandimeve nga vlerësimi teknik dhe dizajni arkitekturor për të cilin janë dakorduar të dyja palët në qershor 2015.

Bashkë me të dy kryetarët e komunave, një grup punues do të monitorojë dhe shqyrtojë rregullisht kushtet mbizotëruese politike dhe të sigurisë në ato komuna gjatë dhe pas procesit të rivitalizimit.

“Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, në pajtueshmëri me mandatet e tyre përkatëse, do të sigurojnë mjedis të qetë dhe të sigurt”, përfundon njoftimi.

Ndërkohë është zyra e BE-së në Kosovë e cila është e autorizuar për zbatimin e marrëveshjes.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: