PRRENJAS

Kryeministri Edi Rama ka qenë në Rrajcë sot bashkë me ambasadorët e BE dhe Gjermanisë si dhe deputetë të qarkut në kuadër të një aktiviteti për furnizimin me ujë.

E nga ky aktivitet, Rama nuk ka ngurruar të ngacmojë kryetaren e Bashkisë së Prrenjasit, ku bën pjesë dhe Rrajca, të zgjedhurën e LSI Miranda Rira. Ajo është bërë nënë pak ditë më parë dhe nuk ka marrë pjesë në këtë akvitet lokal sot. Rama tha se do t’i krijojmë të gjitha mundësitë që pas 30 qershorit të fokusohet tek bebja, duke iu referuar zgjedhjeve lokale.

“I keqardhur për mungesën e kreut të bashkisë. I uroj dhe 100 bebes së sapolindur të Mirandës dhe kam besim dhe bindje që do t’i krijojmë të gjitha mundësitë Mirandës që të fokusohet tek bebja pas 30 qershorit”, tha Rama.

Duke folur për investimin në zonë, kreu i qeverisë tha se nga sot do të kenë 24 orë ujë të pijshëm me presion.
“Nga sot do të kenë 24 orë ujë të pijshëm me presion dhe në të gjitha kushtet dhe standardet gjermane. Kjo nuk do të thotë që pas një viti do të jemi të dytët pas Gjermanisë për furnizimin por do të thotë se më në fund një problem kaq i madh për të gjithë ju, zgjidhet dhe merr drejtim. Në këtë kontekst ia vlen të thuhet diçka më shumë. Është e rëndësishme jo vetëm të vazhdojmë të investojmë por të thellojmë rezultatet e reformës së ujit. Ka përmirësim”, tha Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb