Kandidati i PS në qarkun e Vlorës, Ardit Bido, i është përgjigjur akuzave të PD në lidhje me zyrën elektorale të PS në Delvinë që sipas kandidates demokrate Ina Zhupa, është hapur në shkelje të kodit elektoral.
Në një postim në facebook, Bido thotë se ky është blofi i radhës së doktorit.
“O doktor, prapë bllof?! Çdo ditë do të merresh me mua? Nuk të del koha të merresh me qytetarët, por merresh me mua, çdo mëngjes, si detyrë e parë.
Merr frymë, doktor!
Sot zgjodhe Delvinën për të hedhur baltë. Trojë e quajmë ne që jemi të këtij qyteti, që e kemi në gjak, në zemër, në rrënjë. Dërgove një gocë të mirë të partisë, që s’ka lidhje me Delvinën, të sajojë një “tmerr” pranë KZAZ-së.
Na tregoi se aty ndodhet zyra jonë elektorale… por harroi të shikojë rrotull!
Sepse përballë KZAZ-së ndodhet zyra e Partisë Demokratike. Edhe zyra e kandidates së PD-së, jo më larg se 100 metra.
Doktor, të lutem, mos dil më bllof! Nuk po funksionon. Qytetarët janë më të zgjuar se kaq. E dinë vetë kush punon dhe kush bën teatër.
Gënjeshtrat kanë këmbë të shkurtra. Dhe s’mbërrijnë dot në Parlament.
Në Trojë, votojnë trojanët. Dhe ti e di shumë mirë kush do të votohet.
Ske ku të shkosh, përveçse përballë me mua.
Mos u tremb, doktor. Do shihemi në Parlament. Deri atëherë…”, shkruan Bido.
(BalkanWeb)