Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj thotë se plani i qeverisë për të tërhequr shqiptarët nga Siria dështoi, pas tërheqjes së amerikanëve si dhe futjes së Turqisë brenda Sirisë. Në emisionin Opinion, ai tha se tani po ribëhet një plan tjetër për të tërhequr shqiptarët nga kampet në Siri.


“Në do të procedojmë me sukses. Në po punojmë fort që unë jam i angazhuar personalisht, për arsye se kur e shikon situatën në terren. Kur e kam parë këtë fëmijë, kur e kam prekur me dorë… Gjatë vizitës në Bejrut vlejti jashtëzakonisht shumë për mua për të lidhur kontakte. Kemi shpresë se shumë shpejt do të bëjmë një zgjidhje të këtij problemi”, tha ministri i Brendshëm.


“Ne besojmë që ky kanal i ri, nga Bejruti, mund të funksionojë, kemi marrë disa garanci. Sigurisht që nuk punohet në një opsion. Shpresa ime personale, pas takimit që kam patur në Liban mund ta përdorim për të tërhequr edhe të tjerët”, tha më tej zoti Lleshaj.


Blendi Fevziu: Kush e kreu operacionin?

Sandër Lleshaj: Operacioni është kryer nga një bashkëpunim i policisë shqiptare, Kryqit të kuq, Gjysmë Hënës së kuqe dhe autoritetet italiane.

Blendi Fevziu: Kush e ndërmori nismën?

Sandër Lleshaj: Nisma u ndërmor nga Republika e Shqipërisë. Republika e Shqipërisë, sepse këtu bëhet fjalë për një qytetar shqiptar, i cili është përgjegjësi e shtetit shqiptar dhe iniciativa është marrë nga Republika e Shqipërisë përmes një shkrese zyrtare që ambasada jonë në Romë i ka drejtuar Gjysmë Hënës së Kuqes të Sirisë, ku i ka kërkuar mbështetje për segmentin e parë të operacionit, që ishte lëvizja nga kampi Al Hol deri në kufirin e Sirisë.

Kryqi i Kuq dhe Gjysmë Hëna e Kuqe kanë vepruar në emër dhe për llogari të shtetit shqiptar, me autorizimin tonë. Ato nuk mund të veprojnë vetëm, pa patur një autorizim. Pra kanë punuar në emër të shtetit shqiptar. Pastaj ka pasur një segment të dytë, ku ka qenë në lojë vetëm shteti shqiptar, pra nga kufiri i Sirisë deri në dorëzimin e djalit në ambasadën italiane. Më pas ai është pajisur me dokumente të udhëtimit për të shkuar në Itali./ Opinion.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb