Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol është arrestuar, gjashtë javë pas përpjekjes së tij jetëshkurtër për të vendosur ligjin ushtarak. Një autokolonë u pa duke u larguar nga portat e rezidencës së tij, ku ai ishte izoluar për javë të tëra pas telave me gjemba dhe një ushtrie të vogël sigurie personale.
Yoon deklaroi se sundimi i ligjit është shembur plotësisht në një video-mesazh të regjistruar përpara se ai të shoqërohej në selinë e një agjencie kundër korrupsionit. Sipas tij ai po zbatonte urdhrin e paraburgimit për të parandaluar përleshjet midis policisë dhe shërbimit të sigurisë presidenciale.
Megjithatë, pajtueshmëria e tij nuk ka shkuar deri në bashkëpunimin real me oficerët, sipas Zyrës së Hetimit të Korrupsionit, e cila tha se Yoon refuzonte të fliste. Presidenti Yoon do të mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Seul për momentin.
Avokatët e Yoon ishin përpjekur të bindnin hetuesit që të mos ekzekutonin urdhrin e arrestit, duke thënë se presidenti do të paraqitej vullnetarisht për t’u marrë në pyetje, por agjencia nuk pranoi.
Policia ishte përpjekur të hynte në zyrën zyrtare të presidentit për ta ndaluar atë, por ishte përfshirë në një përplasje me shërbimin e sigurisë së Yoon. Disa orë më vonë qindra oficerë arritën në terrenin e pronës duke përdorur shkallët për t’u ngjitur mbi barriera. Më herët policia tha se kishte angazhuar 3200 oficerë për të ekzekutuar urdhrin e arrestit, shkruan Sky News.
Zyra e Hetimit të Korrupsionit për Zyrtarët e Rangut të Lartë dhe policia po hetojnë së bashku nëse deklarata e ligjit ushtarak të Yoon më 3 dhjetor përbënte një tentativë rebelimi.
Më herët gjatë ditës hetuesit e Koresë së Jugut arrestuan shefin në detyrë të shërbimit të sigurisë presidenciale, Kim Sung-hoon për bllokimin e përpjekjes së tyre fillestare për të arrestuar Yoon në fillim të këtij muaji. Shërbimi presidencial i sigurisë i Yoon pengoi dhjetëra hetues ta arrestonin atë pas një përplasjeje që zgjati gati gjashtë orë më 3 janar.
(BalkanWeb)