TIRANE

Pas takimit që zhvilloi me kryetarin e PD Lulzim Basha në selinë blu, përfaqësuesja e SHBA-ve në Shqipëri, zëvendës ambasadorja Leyla Moses-Ones i është drejtuar selisë së LSI për një takim me kryetaren e kësaj force politike, Monika Kryemadhi.

Takimi i Leyla Moses-Ones me përfaqësuesit e opozitës vjen pas djegies së mandateve të deputetit dhe protestave të opozitës duke krijuar një ngërç politik.

Deputetët e opozitës, PD-LSI, PDIU, PBDNJ vendosën të djegin mandatet parlamentare si e vetmja masë ekstreme për t’u përballur me qeverinë. Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ngritjen e një qeveri tranzitore që do e përgatiste vendin për zgjedhje të parakohshme të përgjithshme.

Presidenti i Republikës Ilir Meta iu ka bërë thirrje palëve për dialog por me sa duket si nga maxhoranca ashtu dhe nga opozita nuk ka tërheqje.

Kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të tjerë të maxhorancës janë shprehur kundër kërkesave të opozitës për qeveri tranzitore. Nga ana tjetër lideri i opozitës, Lulzim Basha ka deklaruar se nuk ka kthim pas.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb