Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, në emër të Qeverisë së SHBA, ka uruar qytetarët e Serbisë për Ditën e Shtetësisë dhe njëkohësisht, ka shfrytëzuar këtë rast për të përsëritur qëndrimin e presidentit Joe Biden, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi.
“Departamenti i Shtetit mirëpret përpjekjet që çojnë në krijimin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse që synon njohjen e ndërsjellë do të kërkojë fleksibilitet dhe një gatishmëri për kompromis nga të dy palët”, ka thënë se Sekretari amerikan i Shtetit në një deklaratë zyrtare në ditën e shtetësisë serbe.
Kërkesa e sekretarit Blinken vjen pas letrës së urimit për Ditën e Shtetësisë së Serbisë, që Joe Biden, ia kushtoi presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Mes rreshtash, Biden i kërkoi presidentit që të arrihet një marrëveshje me Kosovën dhe të përqendrohet maksimalisht në njohjen reciproke mes dy vendeve.
“Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhej në letrën e Biden.