TIRANË- Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka kallëzuar penalisht kryetarin e bashkisë Peshkopi, Ilir Krosi, me akuzën për “shpërdorim detyre”. Po me të njëjtën akuzë kallëzohen nga IKMT edhe kryeinspektori aktual i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të bashkisë Peshkopi, Gafur Gazidede si dhe ish-kryeinspektorët, Halil Zhuka dhe Dilaver Drizi.
Po dje Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, IKMT kallëzoi penalishtkreun e Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Bimen dhe disa zyrtarë të tjerë.

Krosi ndodhet në krye të bashkisë së Peshkopisë prej 3 mandatesh nën siglën e Partisë Demokratike, ndërsa pretendon të garojë sërish në zgjedhjet e 21 qershorit.

Sipas IKMT-së, janë të paktën shtatë raste, kur shtetasit e mësipërm nuk kanë vepruar sipas parashikimeve ligjore në fuqi, për ndalimin e punimeve të kundërligjshme të kryera në territorin e bashkisë së Peshkopisë, duke shkaktuar me mospërmbushjen e detyrimeve të tyre ligjore, dëmtimin e territorit.

“Nga kryeinspektori dhe paraardhësit e tij të kallëzuar, nuk janë marrë masat përkatëse për parandalimin e këtyre punimeve të kundërligjshme, duke mos vazhduar procedurat ligjore dhe duke mosrespektuar afatet për zbatimin e vendimeve të marra. Ndërsa nga ana e kryetarit të bashkisë, si Autoriteti i vetëm i Planifikimit në këtë bashki, nuk është marrë asnjë masë konkrete ligjore për të parandaluar ndërtimet e kundërligjshme, për të kryer kontrollin e zhvillimit të territorit dhe për të kryer drejtimin e zhvillimit të territorit.
IKMT kërkon nga institucionet e drejtësisë edhe marrjen e masës së pezullimit nga detyra për kryetarin e Bashkisë Peshkopi dhe kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Peshkopi”, thuhet në deklaratën e IKMT-së.

Kryebashkiaku i Peshkopisë nuk është i pari që kallëzohet penalisht nga ish-INUK, sot Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit që drejtohet nga Dallëndyshe Bici. Më herët janë vënë nën hetim për lejimin e ndërtimeve, kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, ai i Fierit, Baftjar Zeqo, ai i Gjirokastrës Flamur Bime.
Vendimi i IKMT ndaj Bimes ka ardhur për shkak të një vendimi të miratuar nga kryebashkiaku i Gjirokastres në kohën kur drejtonte KRRT e këtij qyteti për ndërtimin e një pallati 7 katesh në lagjen “18 shtatori” të këtij qyteti në kundërshtim me legjislacionin shqiptar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: