Negociatorët iranianë dhe amerikanë janë pajtuar për një raund të dytë bisedimesh të nivelit të lartë mbi programet bërthamore të Teheranit javën e ardhshme, pas një takimi më 12 prill që zgjati më shumë se dy orë, i cili u cilësua nga të dyja palët si “pozitiv” dhe “konstruktiv”.

“Bisedimet ishin shumë pozitive dhe konstruktive”, tha Shtëpia e Bardhë pas takimit në kryeqytetin e Omanit, Muskat.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steven Witkoff, theksoi se kishte marrë udhëzime nga presidenti Trump për t’i zgjidhur dallimet mes dy kombeve përmes dialogut dhe diplomacisë.

Këto çështje janë shumë të ndërlikuara, dhe komunikimi i drejtpërdrejtë i të dërguarit të posaçëm Witkoff sot ishte një hap përpara drejt arritjes së një rezultati të dobishëm për të dyja palët”, tha Shtëpia e Bardhë.

Ndërkohë palët ranë dakord të takohen sërish në 19 prill.  Zyrtarët thanë se delegacionet ishin të vendosura në dhoma të ndara dhe shkëmbenin mesazhe përmes ministrit të Jashtëm të Omanit, Said Badr.

Delegacioni iranian u udhëhoq nga ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, i cili gjithashtu tha se palët do të takohen sërish fundjavën e ardhshme.

Bisedimet shënojnë një kapitull tjetër në marrëdhëniet e tensionuara mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, të karakterizuara nga cikle diplomacie dhe konfrontimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb