Ish-ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, ka falënderuar të gjithë qytetarët shqiptarë, që morën pjesë në votimet e 30 qershorit, ndërsa shpreh keqardhje për ata që nuk votuan.

Gjiknuri shkruan në “Facebook” se çelësi i suksesit në këtë mandat qeverisës do të jetë bashkëpunimi mes qeverisë qendrore dhe qeverisjes lokale.

“Pas festës nis sfida. Gjithçka në shërbim të qytetarëve, për të transformuar plotësisht të 7 bashkitë. Bashkëpunimi mes qeverisë qendrore dhe qeverisjes lokale do të jetë çelësi i suksesit”, thekson ish-ministri, i cili doli në përgjimet e “BILD” për blerjen e votave në Dibër, gjatë fushatës elektorale të 2016.

Më tej, ai shpreh vlerësim për të gjithë administratën zgjedhore nga komisionerët e KZAZ dhe qendrave të votimit, e deri te grupet e numërimit të votave, që sipas tij, përmbyllën procesin pa asnjë problematikë.

Mesazhi i plotë i ish-ministrit Gjiknuri:
Faleminderit! Teksa po përmbyllet plotësisht i gjithë procesi i numërimit të votave në Qarkun e Vlorës, me lejoni të ndaj disa konsiderata të sinqerta. Mirënjohje për çdo qytetar që me pjesëmarrjen në zgjedhje dëshmoi përmbushjen e një detyrimi të rëndësishëm, për një vend me demokraci dhe stabilitet. Keqardhje për ata që nuk ju drejtuan kutive të votimit, duke e privuar veten nga një prej të drejtave më të rëndësishme, atë të zgjedhjes apo qoftë edhe refuzimit me votë.

Përulje ndaj çdokujt që votoi Partinë Socialiste dhe kandidatët e saj për Bashkitë dhe Këshillat Bashkiak. Me votën e tyre rikonfirmuan forcën tonë politike, me një rezervuar të qëndrueshëm votash dhe me diferencë të konsiderueshme nga kampet kundërshtare. Mirëkuptim për ata që zgjodhën të mos votojnë PS dhe kandidatët tanë, e bënë votën e pavlefshme apo votuan për kundërshtarët. Është një nxitje për ne që të punojmë më shumë për të siguruar edhe mbështetjen e tyre.

Respekt për të gjithë subjektet apo kandidatët kundërshtarë që bënë një fushatë qytetare duke shmangur çdo lloj provokimi e tensioni. Vlerësim për të gjithë administratën zgjedhore nga komisionerët e KZAZ dhe qendrave të votimit deri tek grupet e numërimit të votave. Me përgjegjësi ligjore përmbyllën procesin pa asnjë problematikë.

Falenderim i përzemërt për të gjithë strukturat e PS dhe shtabet elektorale. Falenderim për kolegët deputet, Vilmën, Edin, Alketin, Andrean, Vullnetin dhe kordinatorin elektoral Afrimin. Falenderim për kryetarët e PS, nga Andueli, Ardi, Nertili, Aleko, Izeti, Hristo dhe Vangjeli deri tek secili prej anëtarëve të thjeshtë. Vlerësim për kandidatët tanë, Dritanin, Adrianin, Majlindën, Pëllumbin, Kristaqin, Jorgon dhe Shuaipin. Pas festës nis sfida. Gjithçka në shërbim të qytetarëve, për të transformuar plotësisht të 7 bashkitë. Bashkëpunimi mes qeverisë qendrore dhe qeverisjes lokale do të jetë çelësi i suksesit.

Gjiknuri
Gjiknuri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb