Viktor Orban do të udhëtonte në Moskë për të takuar presidentin rus Vladimir Putin dhe për të diskutuar se si t’i jepet fund luftës në Ukrainë.

Kështu deklaroi Radio Liberty, e cila citon burime të qeverisë së Budapestit, të cilët konfirmuan postimin e gazetarit investigativ Szabolcs Panyi, sipas të cilit një delegacion nga qeveria e Budapestit ndodhet tashmë në kryeqytetin rus në pritje të liderit të Fidezs.

“Kryeministri hungarez Viktor Orban pritet nesër në Moskë për një takim dypalësh me Vladimir Putin”, shkruan gazeta e financuar nga Kongresi Amerikan, duke thënë se Orbanin në Kremlin duhet ta shoqërojë edhe ministri i Jashtëm Peter Szijjarto. Të pyetur për këtë, burimet e qeverisë hungareze as e konfirmuan dhe as e mohuan lajmin.

Lajmi tërboi Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, sepse nga 1 korriku Hungaria mori presidencën e rradhës të BE-së, dhe për rrjedhojë në njëfarë kuptimi përfaqëson të gjithë Bashkimin.

“Presidenca e rradhës e BE-së nuk ka mandat të angazhohet me Rusinë në emër të BE-së. Këshilli Evropian është i qartë: Rusia është agresori, Ukraina është viktima. Asnjë diskutim për Ukrainën nuk mund të ketë pa Ukrainën,” shkroi Michel në X.

Vizita në Kremlin do të bëhet vetëm dy ditë pas misionit të Orbanit në Kiev, ku kryeministri hungarez ka ftuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të pranuar një armëpushim për të arritur një zgjidhje përfundimtare të konfliktit.

Zelenskiy nuk e shprehu mendimin e tij për propozimin gjatë deklaratave për shtyp pas takimit. Ihor Zhovkva, zëvendës shefi i shtabit të Zelensky, më vonë shpjegoi se presidenti do të dëgjonte propozimin e Orbanit, por u përgjigj se pozicioni i Kievit është “i qartë, i kuptueshëm dhe i njohur”. Ukraina argumenton se “integriteti i saj territorial”, dhe për rrjedhojë kthimi i territoreve të aneksuara nga Moska, duhet të jetë themeli i çdo marrëveshjeje paqeje.

Orban “ka bërë një propozim, ai është presidenti me rotacion i Bashkimit Evropian, pastaj do të ketë një takim të ministrave të jashtëm. Është ideja e tij, e qeverisë hungareze, për një armëpushim të menjëhershëm, diskutimi është më i gjerë, sepse atëherë duhet shikuar edhe qëndrimi i të gjitha vendeve që ndihmojnë Ukrainën”, deklaroi ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, duke shtuar se beson se Zelensky ka të drejtë që thotë se duhet të ketë një paqe të drejtë: nuk mund të mendohet për një paqe të drejtë, që përfshin pushtimin e territoreve të Ukrainës”.

Vizita e fundit e Orban në Moskë daton në shtator 2022, kur kryeministri hungarez mori pjesë në funeralin e ish-presidentit sovjetik Mikhail Gorbachev.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb