Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai ukrainas Volodymyr Zelenskyy janë duke zhvilluar një telefonatë zyrtare, sipas një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë.
Presidenti amerikan po kryen telefonatën me kreun e shtetit ukrainas nga Zyra Ovale, vetëm një ditë pas një telefonate me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Kjo është hera e parë që dy liderët flasin që nga konfrontimi i tensionuar në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar.
Telefonata e djeshme mes Trump dhe Putin ishte e dyta që pas inaugurimit të presidentit amerikan në 20 janar të këtij viti, ndërsa rezultati i saj u prit mirë në Uashington dhe Moskë.
Palët u dakordësuan për një armëpushim në infrastrukturën energjetike mes Ukrainës dhe Rusisë, ndërsa vetëm disa momente më parë gjatë ditës së sotme, palët kanë kryer shkëmbimin e parë të të burgosurve të luftës për këtë vit, duke bërë që qindra ushtarë të kapur të kthehen në shtëpi.