Nga: Mariglen MERTIRI

TIRANE- 514 nxënës në shkollën 9-vjeçare “Niko Hoxha” në Valias të Kamzës këtë të hënë nuk mundën të zhvillonin dot mësim për shkak të kushteve të këqija ku shkolla kishte përfunduar nga reshjet e shiut. Uji nga tarraca depërtoi në çdo klasë ndërsa lagështira në mure provokoi një shkëndijë elektrike e cila u finalizua me djegien e llambave.

Fëmijët e Valiasit si ditë pushimi zgjodhën të argëtoheshin duke luajtur edhe ndonjë lojë bilardo teksa treguan edhe arsyet se përse nuk ndodheshin në mësim.

Shkolla u anulua”,- thotë njëri prej nxënësve.

Ditën e enjte është bërë një shkëputje telash këtu dhe ka bërë masë”,- sqaroi një tjetër.

Nuk shkova në shkollë se ka ujë dhe ka pasur masë”, – thotë një tjetër nxënës që mban stekën e bilardos në dorë.

Drejtori i shkollës së bashku me stafin u angazhuan që situata të ndryshojë në favor të nxënësve edhe pse e di se shkolla kërkon ndërhyrje emergjente për shkak të rrezikshmërisë që paraqet në rrjetin elektrik dhe lagështirën që e ka pushtuar.

Situata ishte mjaft e keqe, për të mos rrezikuar jetën e nxënësve pezullova edhe mësimin. Si rezultat i lagështirës së madhe në pikën e bashkimit të dy godinave ndodh një shkëndije elektrike që dogji edhe dritat e vjetra. Rrjeti elektrik është mjaft i dëmtuar”,- tha drejtori Bukurosh Hoxha.

Drejtori Bukurosh Hoxha beson se mësimi do të rifillojë të martën duke e nxjerrë këtë shkollë momentalisht nga harta e shkollave problematike, megjithëse situata vijon të mbetet e pafavorshme për fëmijët që do ta popullojnë.

Mendojmë që nesër do të nisë procesi mësimor, që të mos kemi më probleme”,- shtoi ai.

Zona e Valiasit ishte ndër të parat që u prek nga vërshimi i ujërave nga reshjet e shumta në pak orë duke mos kursyer as institucionet e dijes.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb