TIRANË- Partia Demokratike ka kërkuar sot dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe kryeministrit Edi Rama.


Në një deklaratë për mediat në selinë e PD-së, sekretari i përgjithshëm Arben Ristani tha se në polici nuk po bëhet vetting por zëvendësimi i një kupole me një kupolë tjetër mafioze.


“Publikimi në disa media i lidhjeve të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe oficerëve të lartë të policisë në trafikun e drogës, janë fakte të reja që provojnë se në polici nuk po ndodh vetting po zëvendësimi i një kupole mafioze me një tjetër, po ndodh rokada nga Habilajt tek Xhafaj. Një portal publikoi bisedën mes bandës së Habilajve që bënin llogaritë e fitimeve të Saimir Tahirit nga trafiku i drogës. 5 milionë euro në muaj thotë Moisi Habilaj që përdorte për trafik droge makinën e ministrit të Brendshëm. Me paratë që fitonte nga droga Saimir Tahiri mund të shkonte në hënë sipas trafikantëve por në fakt paratë e drogës janë përdorur në fushatë elektorale nga Saimir Tahiri për të bërë Edi Ramën kryeministër. Me një drejtësi të pakapur nga krimi Saimir Tahiri nuk do të shkonte në hënë siç thonë Habilajt por thjesht do të shkonte në burg duke marrë me vete edhe bosin e tij të vërtetë Edi Ramën. Emsioni “Fiks Fare” zbuloi mbrëmë me zë e me figurë se si një oficer i lartë në Policinë e Shtetit, Julian Balliu është pjesë e krimit të organizuar që trafikon drogën më të shtrenjtë, kokainën. Ky nuk është i vetmi oficer policie i përfshirë në organizatat kriminale që trafikojnë drogë. Sipas raportit zyrtar të Shërbimit sekret, 128 oficerë policie, përfshirë edhe drejtues të lartë të saj kanë marrë pjesë dhe kanë përfituar nga trafiku i kanabisit. Deri tani nuk është bërë publike asnjë masë e marrë ndaj tyre, ndërsa 3 drejtues të policisë në qarqe të akuzuar për lidhje me Habilajt dhe Tahirin janë në arrati. Urdhri i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj për pezullimin e policit të përfshirë në trafikun e kokainës është veçse një nga masat propagandistike sepse media raporton se Julian Balliu është arratisur njësoj si tre drejtuesit e lartë të policisë. Pezullimi nga Fatmir Xhafaj është propagandë, njësoj si vettingu që thotë se do të bëjë vëllai i Agron Xhafës që është dënuar për trafik ndërkombëtar kokaine. PD shpreh bindjen se pa largimin e Xhafës dhe Ramës si koka që mbrojnë krimin e organizuar në Shqipëri jo vetëm që nuk do ketë vetting në polici por as rend e siguri për shqiptarët”, deklaroi Ristani.”, deklaroi Ristani.


(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: