Komandanti i lartë i Forcave Aleate të NATO-s për Evropë, gjenerali amerikan, Tod Wolters, qëndroi për një vizitë në Kosovë, gjatë së cilës takoi udhëheqësit e institucioneve politike dhe ushtarake të Kosovës.

Vizita e gjeneralit Wolters, i cili në muajin maj bëri betimin si komandanti më i lartë i forcave aleate në Evropë, pasoi ato në Bosne e Hercegovinë dhe Serbi dhe sipas zyrës së tij, kishte për qëllim njohjen nga afër të situatës në terren dhe për të kërkuar mundësi për të përmirësuar bashkëpunimin dhe ndërveprimin me forcat ushtarake të NATO-s si dhe për të nxitur paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon”.

Takimet në Prishtinë u mbajtën pa praninë e medias, ndërsa në një njoftim ndërkaq të zyrës së kryeministri Ramush Haradinaj thuhet se në takim me “gjeneralin Wolters është diskutuar për arritjet e institucioneve të Kosovës, posaçërisht në fushën e sigurisë, rolin e misionit të NATO-s dhe mbështetjën për rritjen e profesionalizmit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

Komandanti më i lartë i NATO-s një ditë më parë ishte në Beograd ku u takua me udhëheqësit politikë dhe ushtarakë serbë në Serbi.
Gjenerali Wolters, i tha Zërit të Amerikës nëpërmjet një deklarate se me udhëheqësit në Serbi “është diskutuar për një gamë të gjerë temash ndërsa është shprehur i lumtur me punën dhe përkushtimin e madh të Serbisë për paqen dhe qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor”.

Zyra e presidentit të Serbisë, përmes një deklarate pas takimit me gjeneralin Wolters, citoi presidentin Aleksandër Vuçiç të ketë thënë se “paqeruajtësit ndërkombëtarë të udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë janë garantues të sigurisë për serbët që jetojnë në Kosovë, ndërsa e ka quajtur të rëndësishme vendosjen e një linje telefonike për komunikim emergjent midis forcave serbe dhe KFOR-it, për të eliminuar me shpejtësi tensionet ose dhunën”.

Por, zyra e gjeneralit Wolters tha për Zërin e Amerikës se “gjatë takimit me presidentin Vuçiç, nuk kishte diskutim për një “linjë telefonike”, më saktë, kishte të bënte me mbajtjen dhe përmirësimin e linjave ekzistuese të komunikimit. Komandanti aktual i KFOR-it ka komunikim me Forcat e Armatosura Serbe”, thuhet në deklaratë duke nënvizuar se Gjenerali Wolters është i prirur të rrisë përpjekjet dhe të përqëndrohet në promovimin e paqes në Ballkanin Perëndimor.

Forcat e NATO-s në Kosovë vazhdojnë të kujdesen për sigurinë me rreth katër mijë trupa që aktualisht mbetën në terren.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb