KOSOVË

Ministri britanik, Alan Duncan, ka deklaruar se tensionet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, kryesisht ato mes Kosovës dhe Serbisë për shkak  të aplikimit të taksës, po minojnë stabilitetin ekonomik.


Ai bën thirrje që Kosova të heqë dorë nga taksa dhe të nisë punën për dialog me Serbinë, pasi sipas tij, kjo është e vetmja rrugë që do të sjellë një të ardhme më të mirë për qytetarët e të dyja vendeve.


Ditë më parë kanë apleuar që të hiqet taksa për mallrat e Serbisë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por autoritetet kosovare nuk kanë bërë asnjë lëvizje në këtë drejtim.


“E kemi parë Serbinë duke i nxitur shtetet që ta tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe e kemi parë Kosovën duke i vendosur tarifa 100 për qindëshe mallrave serbe dhe atyre nga Bosnja e Hercegovina. E gjithë kjo e heq mendjen nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve. Ne dëshirojmë që Kosova dhe Serbia ta kapin mundësinë për marrëveshje, duke u inspiruar nga lidershipi i Greqisë dhe asaj çfarë tani është Maqedonia e Veriut në arritjen e marrëveshjes për ta zgjidhur çështjen e shumë zgjatur të emrit.

Ne besojmë se progresi në mes të Serbisë dhe Kosovës është i mundur dhe urgjentisht i nevojshëm, por se negociatat nuk duhet të jenë rreth shpejtësisë, por duhet të fokusohen në arritjen e marrëveshjes më të qëndrueshme dhe optimale. Ne vazhdojmë të bëjmë presion mbi të dy palët për de-eskalim të tensioneve dhe kthim në negociata.

Me partnerët ndërkombëtarë, ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i vendosë hapat të cilat kanë ndërmend t’i marrin për suspendim të tarifave dhe për kthim në dialog. Është në interes të Kosovës që ta mbajë momentumin drejtë një marrëveshjeje”, citohet të ketë thënë ministri britanik Duncan.

(n.m/BalkanWeb)

Etiketa: