MAQEDONI– Disa ditë pas shkarkimit të Bilall Kasamit nga kreu i Lëvizjes Besa, ky i fundit, i shoqëruar nga disa persona, sot ka hyrë në selinë qendrore të partisë. Sigurimi i qendrës tregtare Mavrovasja ku ndodhet edhe selia e partisë, pretendon se Kasami dhe shoqëruesit e tij, kanë hyrë me dhunë në ambientet e selisë madje sipas tyre, për 40 minuta kanë mbajtur me forcë brenda personat që janë ndodhur në seli.

“Sot në orën 9:30 erdhën disa persona të paautorizuar as vetë nuk i njoh se kush janë, dhe me forcë thyen këtë derën hyrëse dhe derën e prapme të partisë Besa aty ishte edhe kryetari i shkarkuar Bilall Kasami. Ishin afër 20 persona- tha Nexhbedin Rahmani, Sigurimi.

“Na kanë mbajtur me dhunë brenda për 40 minuta. Na futën brenda dhe nuk thonin asgjë, nuk folën asgjë. Na thonin mos lëvizni, s’do lëvizni. Na mbajtën brenda në zyrë. Jam në stres, nuk mund të tregoj më shumë- tha një anëtar i degës së Shkupit i Lëvizjes Besa.

“Pas hyrjes me forcë në seli, Abdush Demiri nga radhët e mbështetësve të Bilall Kasamit tha se të gjithë ata që kanë penguar hyrjen në seli të Kasamit, do të përgjigjen penalisht. Pas tentimit dy ditë me radhë për të hyrë në selinë e partisë, kjo gjë na ishte e pamundësuar pasi brenda në seli ka pasur persona të pa identifikuar dhe të paautorizuar… Organet e rendit përfunduan procedurat e tyre dhe me siguri që pas kësaj do të pasojnë edhe padi penale për të gjithë ata që janë të përfshirë në uzurpimin e selisë së Lëvizjes Besa”– tha Abdush Demiri një tjetër anëtar i Lëvizjes Besa.

Ndërkohë u.d kryetar i Besës Nexhbedin Kahremani, në një reagim për media, thotë se ekstremistët dhe Bilall Kasami po dhunojnë Lëvizjen Besa.

“Sot selia e Lëvizjes Besa në Shkup është sulmuar nga persona të armatosur, është thyer brava dhe hapësira e saj është marrë me dhunë. Dyshohet se personat që kanë bërë këtë gjë janë ekstremistë të dhunshëm të Çairit dhe fshatit Llërcë të Tetovës, ndërsa i shoqëruar nga këta ka ardhur edhe kreu tanimë i shkarkuar Bilall Kasami. Në emër të anëtarësisë së Lëvizjes Besa, shumicës së Këshillit Qendror, Kryesisë Qendrore dhe shumicës absolute të strukturave të Besë, ne dënojmë këtë akt të dhunshëm dhe presim nga organet e rendit të zbardhet rasti. Ndjejmë keqardhje që Bilall Kasami në bashkëpunim me klane ekstremiste të Çairit po i uzurpon dhunshëm, jo vetëm zyrat e Besës por edhe nëpërkëmb vlerat e saj”- deklaroi Nexhbedin Kahremani, ushtrues kryetar i ri i Lëvizjes Besa.

Ndërkohë anëtarët e Kryesisë Qendrore dhe të Këshillit Qendror të Lëvizjes Besa në Tetovë, kanë dhënë mbështetjen e tyre për vendimin e Këshillit Qendror të Lëvizjes Besa që kryetari i ri i Lëvizjes BESA të jetë Nexhbedin Kahramani.

“Kahramani gëzon mbështetjen e plotë të të gjithë strukturave të Lëvizjes BESA dhe më gjerë, por edhe të tetovarëve e të tjerëve, madje edhe përtej dallimeve politike. Prandaj ne dëshirojmë të falënderojmë Këshillin Qendror që në çastet e organizimit të brendshëm në Lëvizjen BESA, zgjodhi Dr. Kahremanin për këtë detyrë”- deklaroi Bashkim Uzairi, Lëvizja Besa, dega Tetovë, njofton Alsat M.

Dy ditë më parë Lëvizja Besa mbajti dy mbledhje të këshillit qendror në dy vende të ndryshme, njërën në Tetovë dhe tjetrën në Shkup, ku në të dyja mbledhjet u diskutuar rreth mbajtjes së Kongresit të parë të partisë më 24 shkurt të këtij viti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: