TIRANË

Protesta e opozitës së bashkuar ka pasuar me një vendim politik të Partisë Demokratike. Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi dje se do t’i propozojë grupit parlamentar dhe forumeve më të larta të kësaj force djegien e mandateve parlamentare. Por si e ka pritur maxhoranca këtë vendim? Gazetari Ergys Gjençaj ka zbardhur për “BalkanWeb” disa nga diskutimet në mbledhjen e grupit parlamentar por dhe porosinë e kryeministrit Edi Rama.

Mësohet se Rama iu ka kërkuar deputetëve socialistë të organizohen për zgjedhjet vendore, pavarësisht vendimit të opozitës. Por kreu i maxhorancës ka shprehur mosbesim se opozita do i djegë mandatet, duke e parë të pamundur konsensusin në radhët e PD. “Organizim për zgjedhjet vendore pavarësisht se çfarë bën opozita. Unë nuk besoj se opozita do gjejë konsensus për të djegur e mandatet. Ne duhet të përmirësohemi. Mes shpifjeve të kundërshtarëve të shohim çfarë nuk shkon me ne”, mësohet të ketë thënë kreu i PS.

Ai ka deklaruar se do të vazhohet me turin në të gjithë vendin. “Të përqendrohemi te zgjedhjet. Do të vazhdojë turi në gjithë vendin ‘Bashkia që duam’. Ne do të vazhdojmë të ecim përpara me zgjedhjet lokale dhe organizimin e strukturave tona”, është shprehur Rama.

Po të njëjtin qëndrim kanë mbajtur dhe deputetët e PS. Ata kanë deklaruar se parlamenti është legjitim edhe pa opozitën. “Është një vendim që i takon opozitës! Parlamenti është legjitim edhe pa opozitën. Parlamenti është në funksion të plotë dhe legjitim”, kanë thënë për mediat deputetët e PS para nisjes së mbledhjes së grupit.

Ndërsa deputetja socialiste Klotilda Bushka deklaroi se nuk ka vend për zgjedhje të parakohshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb