Pas vendimit të ushtrisë Izraelite për evakuim të zonave në lindje të Deir al-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, palestinezët filluan evakuimin nga Spitali i Dëshmorëve Al-Aksa dhe përreth tij, raporton Anadolu.

Pasi zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, kërkoi evakuimin e zonës në lindje të qytetit të Deir Belah dhe u kërkoi banorëve të shkonin në perëndim, palestinezët dolën sërish në rrugë.

Pacientët dhe të plagosurit në Spitalin e Dëshmorëve të Al-Aksasë u detyruan të largoheshin nga spitali në këmbë, me karroca ose në shtretër pacientësh.

“Hebrenjtë thanë që spitali të evakuohet. Jemi të sëmurë, ku të shkojmë në këtë situatë? Kjo nuk është jetë. Ne në fakt jemi të vdekur”, tha Ummu Muhammed, këmba e së cilës është thyer, duke tërhequr vëmendjen dëshpërimin e tyre.

Meha es-Sersek, nga ana tjetër, duke treguar se që 9 muaj jetojnë në tendat që i kanë vendosur përreth Spitalit të Dëshmorëve të Al-Aksasë, tha se shumë herë kanë migruar por secilën herë janë kthyer në spital.

Duke treguar se njerëzit janë shokuar me vendimin për evakuim Sersek tha: “Na shpëtoni më, jemi lodhur”.

Drejtori i Spitalit Dëshmorët e Al-Aksasë, dr. Eyad al-Jabri, në konferencën për media, tha se pas vendimit për evakuimin e bllokut 128, ku përfshihet spitali, të plagosurit dhe pacientët në nevojë për trajtim dhe ekipet mjekësore u larguan nga spitali nga frika për jetën.

Ai tha se ata si menaxhment i spitalit do të vazhdojnë të ofrojnë shërbimet e nevojshme mjekësore për pacientët. Al-Jabri u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare të marrin masa për mbrojtjen e Spitalit të Dëshmorëve të Al-Aksasë, i vetmi spital i mbetur në rajon.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza, përmes një njoftimi, ka kërkuar mbrojtjen e Spitalit të Dëshmorëve të Al-Aksasë, pacientëve të tij dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor. Në deklaratë bëhet e ditur se në spital ndodhen edhe rreth 100 pacientë, 7 prej të cilëve po trajtoheshin në terapi intensive.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: