Eksperti i pensioneve Kujtim Hoxha, i ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24 ka dhënë detaje në lidhje me kushtet që duhet të plotësojnë personat që do të nisin të trajtohen me pension në vitin 2025.
Ai ka sqaruar se me ndryshimin e moshës së parashikuar nga ligji, meshkujt duhet të kenë arritur moshën 65 vjeç, ndërsa femrat 61 vjet dhe 10 muaj, duke pasur parasysh faktin që çdo vit shtohen dy muaj.
“Për vitin 2025, përfitojnë pension personat që kanë lindur deri në datën 28 shkurt 1963, ata që kanë lindur pas kësaj date do të dalin në pension në vitin 2026. Për të dyja gjinitë duhet 38 vjet e 8 muaj vjetërsi pune, duhen edhe 4 muaj më shumë për të përfituar pension të plotë.
Që pas vitit 2032 të gjithë që do të dalin duhen 40 vite punë”, tha ai.
Eksperti foli edhe në lidhje me shqiptarët të cilët nuk kanë jetuar në vendin tonë dhe mundësinë për t’u trajtuar me pension social.
“Shqiptarët që nuk kanë histori kontributive, nuk kanë punuar asnjëherë apo nuk kanë 15 vite punë për t’u përfshirë në skemë, trajtohen me pension social, kur plotësojnë kushtet, mosha 70 vjeç dhe një sërë kriteresh të tjera, ku përfshihet edhe pjesa e të ardhurave që kanë.
Pesë vitet e fundit duhet të kenë qenë në Shqipëri”, tha ai.
Një detaj tjetër që eksperti sqaroi është se edhe vitet e vuajtjes së dënimit nga gjykata, njihen si vjetërsi pune.
“Edhe burgu njihet si vjetërsi pune. Ekziston ligji por ende nuk ka nisur zbatimi”, tha ai.