Udhëtarët e braktisur në aeroportin Malpensa të Milanos shprehen të zhgënjyer me kompaninë ajrore Air Albania. Mbi 60 pasagjerë shqiptarë u lanë mbrëmjen e të premtes në aeroportin italian. Prej orës 14.00 ata pritën për të fluturuar në drejtim të Tiranës por vetëm në orën 20.30 mundën të hipin në avion, më në fund, edhe pse jo të Air Albania, por të Turkish Airlines. Pasi kanë qëndruar për 2 orë me radhë në bord, shqiptarët janë urdhëruar të zbresin pasi avioni i Turkish Airlines nuk mund të fluturonte.

Për BalkanWeb, pasagjerët shprehen të irrituar, ndërsa shtojnë se janë ndeshur në të kaluarën me vonesa në fluturime, por kurrë nuk kanë pësuar trajtimin që iu bëri Air Albania. Të braktisur në aeroport, pa një përgjigje se kur do të nisen drejt Tiranës apo edhe se ku do të kalojnë natën pas anulimit të fluturimit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Avioni duhej të nisej në orën 16.50. Kemi që në orën 14.00 këtu. Kur kemi mbërritur në aeroport nuk ishte hapur check-ini dhe askush nuk na përgjigjej. Pasi kemi qëndruar për orë të tëra në pritje, na thonë se do nisemi në orën 20.30. Por do niseshim jo me avionin e Air Albania, por me Turkish Airlines. Pasi kemi kalur në check-in, jemi futur në avion dhe na kanë lënë në pritje për më shumë se 2 orë. Piloti dhe stafi i avionit na thonin se nuk kishin leje nga kulla e kontrollit për t’u nisur. Kemi telefonuar sërish kompaninë dhe tha thanë që avioni nga Tirana nuk ka mbërritur pasi kishte turbulenca.

Por na gënjyen sepse punonjësit e aeroportit na njoftuan se kompania “Air Albania” nuk kishte paguar taksat aeroportuale. Dhe deri në datën 18 tetor nuk do të ketë fluturime në aeroportet e Italisë.

Kam 21 vjet që udhëtoj dhe s’më ka ndodhur asnjëherë. Këtu ka fëmijë, ka të moshuar. Jemi 50-60 pasagjerë dhe s’dimë ku të shkojmë, kemi ngelur jashtë ku do të kalojmë natën”, tha për BalkanWeb pasagjeri Sefedin Matraçi.

Përveçse i braktisi në aeroport, kompania Air Albania nuk ka qenë aspak bashkëpunuese me pasagjerët shqiptarë. Në redaksinë e BalkanWeb ka mbërritur një video e regjistruar nga vetë pasagjerët ku dallohet qartë se ata kanë telefonuar kompaninë për të kërkuar sqarime lidhur me arsyet e anulimit të fluturimit. Punonjësja e kompanisë nuk jep përgjigje dhe as mban përgjegjësi, por për më tepër i mbyll edhe telefonin qytetarit.

 

 

Vonesat apo anulimet e fluturimeve mund të jetë një fenomen më se i zakonshëm, por braktisje të qytetarëve për orë të tëra në aeroporte, të kësaj natyre, rezulton të jetë e pangjarë. Askush nuk u thotë asgjë. Kompania mbyll telefonin, stafi aeroportual i Milanos ngre supet, ndërsa 50-60 pasagjerët që këtë mbrëmje duhet ta kalonin pranë familjarëve dhe të afërmve të tyre do të qëndrojnë në stolat e aeroportit, brenda apo jashtë terminalit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb