TIRANË

Policia e Tiranës ka arrestuar për mashtrim një shtetas arab me banim në Tiranë, i cili bashkë me dy shtetas shqiptarë duke u hequr si investitorë për investime në Shqipëri, u premtonin shtetasve të huaj me kombësi egjiptiane pasaporta të shtetit shqiptar për shuma që varionin mbi 20 000 euro.


Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “Përshpejtimi”, arrestoi shtetasin Talal Ahmed Abu Mayha, 41 vjeç, lindur në Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe banues në Tiranë.


Gjithashtu në kuadër të këtij operacioni u procedua në gjëndje të lirë shtetasi E. M., 40 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasia M. M., 49 vjeçe (të dy shtetas shqiptar).
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke u kamufluar si investitor dhe partner për investime në Shqipëri, u premtonin shtetasve të huaj me kombësi egjiptiane të cilët shfaqnin interes se mund t’ju siguronin atyre pasaporta të shtetit shqiptar për shuma që varionin mbi 20 000 euro.


Nga hetimet e kryera ka rezultuar dhe është provuar se shtetasit e lartpërmendur ndërmjet një zyre binjakëzimi midis Emirateve të Bashkuara dhe Tiranës, ju kanë marrë disa shtetasve shuma të konsiderueshme në euro duke ju premtuar leje qëndrimi dhe pasaporta shqiptare (por që nuk kanë bërë të mundur dot as aplikimin për dokument të tillë si pasaporta dhe leja e qëndrimit për shkak të rregullave dhe dokumentave strikte që kërkoheshin nga zyra e kufirit dhe migracionit).

Në cilësin e provës materiale janë sekuestruar: Zyra në Tiranë e shtetasit të arrestuar arab; Tre njësi kompjuterash të ndryshëm; Një aparat celular; Dokumenta të ndryshme.

Materialet proceduriale ju kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprat penale “Mashtrim”, “Fshehje e të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave dhe tatimeve”, parashikuar nga nenet 143/2, 180 dhe 181 të Kodit Penal.

(m.k/BalkanWeb)