TIRANË-Rreth 156 mijë pasaporta të shtetasve nën moshën 16 vjeç duhet të ribëhen për shkak të “një gabimi teknik” në shtypjen e tyre.

Pasaportat e tyre janë shtypur me afat 10-vjeçar ndërkohë që ligji e përcakton qartë se pasaportat e personave nën 16 vjeç duhet të pajisen me pasaporta me përdorim 5-vjeçar.

Deputeti Erjon Braçe e konsideron këtë një shkelje ligji dhe shpërdorim detyre.

“Gabim teknik në pasaporta?! Jo! Është shkelje ligji. Dhe vlera arrin deri në 11,3 milionë euro. Ndodhi në prill 2009-korrik 2010 dhe ministër i Brendshëm ishte Lulzim Basha.

Cdomethene “gabim teknik”? Eshte arsye? Eshte ndjese? Cfare kuptimi ka juridikisht? Ligji ka qene shume i qarte; Per shtetasit nen moshen 16 vjec, vlefshmeria e pasaportes eshte 5 vjet!!

Cdo veprim i ndryshem nga ky eshte shkelje e ligjit; Per ata qe e kane patur nen pergjegjesi prodhimin dhe shperndarjen e pasaportes eshte po: “shkelje ligji”, “shperdorim detyre”, “dem ekonomik” etj. A E DINI SA ESHTE VLERA? Me cmimin 6.000 leke te reja, per 156 mije pasaporta, vlera arrin ne: 6.6 MILION EURO!!

Por mes te demtuarve jane shumica femije emigrantesh; ata per fat te keq vihen me vonese ne dijeni dhe mundesine e vetme e kane kur vijne ne atdhe; Per te gjithe ata qe duan nje procedure te pershpejtuar, Me cmimin 15.000 leke te reja, per vetem gjysmen e 156 mije pasaportave, vlera e plote e demit arrin ne: 11.6 MILION EURO!!

E shihni qe “gabimi teknik” nuk eshte nje llaf goje?! “Shkelja e ligjit” ka ndodhur ne periudhen PRILL 2009- KORRIK 2010; MINISTER I BRENDSHEM KA QENE LULZIM BASHA; KOMPANIA NEN KONTRATE KA QENE E NJEJTA: ALEAT! KUSHTET NE TE CILAT KA OPERUAR KANEN QENE TE NJEJTAT; MONOPOL!

Me nje ndryshim te vogel; Cmimi i paracaktuar ne mars 2013 (nga Qeveria Berisha) ne rinovimin e kontrates me te njejten kompani, ESHTE RRITUR!! JANE SHUME PARA PER TE FOLUR PER “GABIM TEKNIK”!! DUHET PERGJEGJESI PENALE!! Natyrisht edhe civile; Ska perse te paguaj gjithnje qytetari per gabimet skandaloze te administrates dhe kontraktoreve te saj!!

PASAPORTAT ME AFAT 10-VJEÇAR PËR FËMIJËT, MPB: NË QEVERISJEN E KALUAR U DHANË 156 MIJË, MORËM MASA
Pas problematikës së evidentuar me shtetasit nën 16 vjeç të cilët janë pajisur me pasaportat me afat 10-vjeçar, ka reaguar Ministria e Punëve të Brendshme.

MPB sqaron edhe njëherë lidhur me çështjen e afatit të vlefshmërisë të pasaportave biometrike të lëshuara në periudhën prill 2009 deri në korrik 2010, për shtetasit e moshës nën moshën 16 vjeç në momentin e aplikimit për pasaportë biometrike, se në bazë të ligjit nr. 8668, datë 23.11.2000, “Për pajisjen e shtetasve me pasaportë për jashtë shtetit”, i ndryshuar, afati i vlefshmërisë së pasaportave për këtë kategori shtetasish është 5 vjet, në përputhje dhe me standardet ndërkombëtare të dokumenteve të udhëtimit.

Sipas MPB-së, gjatë periudhës Prill 2009 – Korrik 2010, në qeverisjen e kaluar, për shtetasit shqiptarë nën moshën 16 vjeç në momentin e aplikimit janë lëshuar rreth 156 mijë pasaporta me afat vlefshmërie jo të saktë, 10 vjet, ndërkohë që duhet të ishin 5 vjet.

Ministria e Punëve të Brendshme nënvizon se afati 5-vjeçar i vlefshmërisë së pasaportave biometrike, për fëmijët 0 – 16 vjeç është një standard i njohur ndërkombëtar, për shkak të ndryshimit në kohë të karakteristikave fizike të shtetasve të kësaj moshe.

Me ardhjen e qeverisë së re në vjeshtën e 2013, Ministria e Punëve të Brendshme duke konstatuar problematikën, mori masa për menaxhimin dhe zgjidhjen e tij.
MPB propozoi shtyrjen e afatit të këtyre pasaportave me një vit shtesë, duke i bërë këto pasaporta të vlefshme për 6 vjet, në mënyrë që t’u lihet kohë shtetasve të marrin masat për pajisjen me pasaportë të re biometrike.

Propozimi i MPB-së është miratuar në Kuvend në Prill 2014, ku përcaktohet se “Afati i vlefshmërisë së pasaportave biometrike, të lëshuara gjatë periudhës 1 prill 2009 – 31 korrik 2010, me afat vlefshmërie 10 vjet, për të gjithë shtetasit shqiptarë me moshë deri në 16 vjeç në kohën e aplikimit, zgjatet me 1 vit nga dita e plotësimit të afatit ligjor prej 5 vitesh.”

Në të njëjtën kohë Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë masat për njoftimin e shtetasve që preken nga ky problem dhe prej Gusht 2014 ka vijuar me njoftimin e tyre:
– në Pikat e Kalimit Kufitar (nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë në kufi dhe posterave, fletëpalosjeve)
– në Zyrat e Gjendjes Civile dhe Komisariatet e Policisë (nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë nga punonjësit dhe posterave, fletëpalosjeve)
– në median e shkruar dhe elektronike
– deklaratat të herëpashershme dhe vazhdueshme nga zyrtarët të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme
– nëpërmjet Ambasadave dhe Zyrave konsullore të Republikës së Shqipërisë, për shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë Republikës së Shqipërisë
– nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Gjithashtu Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë të gjithë masat e nevojshme për përballimin e kërkesave në rritje për pajisjen me pasaportë, kjo për shkak dhe të fluksit të emigrantëve, një fluks ky i përvitshëm në këtë periudhë, duke fuqizuar infrastrukturën e nevojshme në zyrat e aplikimit dhe shpërndarjes së këtyre dokumenteve, si dhe ka zgjatur orarin e shërbimit, duke i shërbyer dhe shtetasit të fundit në sportel.

Në vijim të fushatës informuese, Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë shtetasit shqiptarë të marrin masat e nevojshme për pajisjen me pasaporta të reja para përfundimit të afatit të vlefshmërisë të pasaportave ekzistuese.
(d.b/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb