Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka lënë me masën e sigurisë “arrest me burg” shtetasit Zyber Zagradi, kamarieri i plagosur dhe Mario Pali, të dyshuar si bashkëpunëtor të autoreve të dyshuar të vrasjes së dyfishtë në Velipojë.

Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetari Senad Nikshiqi.

Shtetasit Zyber Zagradi dhe Mario Pali deklaruan në sallën e gjyqit se ata kanë ardhur në momentin pasi kishte nisur konflikti mes vëllezërve Frroku dhe dy viktimave Ersild Ishmi dhe Arsid Hoxha.

Zagradi dhe Pali deklaruan se kanë parë shtetasin Edmir Frroku duke qëlluar ndërsa u shprehën se nuk e kanë patur idenë se si ka nisur konflikti mes tyre sepse mbërritën më vonë aty. Avokati mbrojtës Simon Pashku kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe vleftësimin e paligjshëm të ndalimit të tyre ndërsa prokurori Albert Murçaj kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” të cilën gjyqtarja Arta Llazari e pranoi.

Kamarieri Zyber Zagradi deklaroi gjithashtu se nuk e ka idenë se si ka mbetur i plagosur. “Nuk e di si u plagosa, vetëm kur pashë këmbën me gjak dhe plagën e shkaktuar nga plumbi që kisha marrë”.

Ndërkohë më herët kamarieri Zagradi deklaroi në polici se deri tek motra e vëllezërve Frroku në Lezhë e ka dërguar Mario Pali dhe më pas nga aty motra e vëllezërve Frroku e ka dërguar në spitalin e Lezhës. Nga ana tjetër në deklarimin në polici Pali e ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se pas ngjarjes ai është larguar drejt Shkodrës.

Dyshohet se Zagradi dhe Pali ndihmuan vëllezërit Edmir dhe Gëzim Frroku të largohen nga vendngjarja, pasi ekzekutuan me armë zjarri të rinjtë Ersild Ishmi dhe Arsid Hoxha të hënën në mbrëmje.

Ngjarja e rëndë e cila përfundoi mbrëmjen e të hënës me vrasjen tragjike të dy të rinjve, e ka zanafillën në datën 28 Qershor të këtij viti, kur njëri prej viktimave, Ersild Ishmi, kishte kanosur me armë zjarri kuzhinierin e hotelit në pronësi të vëllezërve Frroku.

Ishmi u ndalua në Korrik për kanosjen dhe më pas u la në masë sigurie më të butë nga gjykata, teksa konflikti siç duket nuk ishte shuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb