TIRANE – Besimtarët ortodoksë festojnë sot Pashkët. Kremtimi i festimeve ka shënuar kulmin në meshën e mbajtur mesnatën e kaluar. Për Pashkët nuk kanë munguar as mesazhet e urimit të drejtuesve të shtetit dhe politikës. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, u shpreh urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve ortodoksë shqiptarë me rastin e Festës së Pashkëve ortodokse.

“Të dashur besimtarë ortodoksë shqiptarë, kudo ku ndodheni!
Në cilësinë e Kreut të Shtetit dëshiroj që me rastin e kësaj Feste të shenjtë, t’ju uroj nga zemra ‘Gëzuar dhe për shumë vjet Pashkët’! Festa e Pashkëve është dita e madhërishme e ringjalljes së Krishtit, dita e ripërtëritjes së përdëllimit dhe e rifreskimit të besimit të palëkundur tek i Plotfuqishmi!

Le të na shërbejë kjo ditë simbolike e kremtimit të ringjalljes së shpirtit hyjnor dhe besimit fetar për të reflektuar si dhe për të përsosur sadopak veten, të dashurit tanë, bashkësinë ku jetojmë, marrëdhëniet dhe solidaritetin njerëzor, por dhe për të konsoliduar e nxjerrë më shumë në pah vlerat e patjetërsueshme dhe tradicionale të bashkëjetesës e harmonisë fetare të shqiptarëve!
Përfitoj nga kjo Festë e madhërishme të uroj gjithashtu më shumë lumturi, fat të mbarë, mirëqenie, begati e harmoni jo vetëm për besimtarët ortodoksë shqiptarë, por edhe një të ardhme sa më të begatë e të ndritur për mbarë popullin tonë! Gëzuar Pashkët!”

NISHANI: KORÇA, VENDI ME I PËRSHTATSHËM PËR TA BËRË KËTË URIM
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani kremtoi sot Pashkët ortodokse në qytetin juglindor të Korçës, ku vizitoi Mitropolinë dhe u mikprit nga Imzot Joani si dhe shumë besimtarë të krishterë ortodoksë.

Me këtë rast, pas vizitës në Mitropolinë e Korçës, Kreu i Shtetit theksoi edhe para përfaqësuesve të mediave të pranishme: “Besoj se sot ishte vendi më i përshtatshëm që nga Korça, simbol i besimit të fortë ortodoks të shqiptarëve, të gjendesha pranë këtij komuniteti të korçarëve, për t’u uruar jo vetëm atyre, por të gjithë shqiptarëve ortodoksë, gëzuar Pashkët! Një vit më të mirë e më të mbarë për të gjithë shqiptarët ortodoksë kudo ku janë dhe jetojnë, por edhe për të gjithë shqiptarët!

Një vlerësim të veçantë për klerikët e Kishës Ortodokse Shqiptare, për punën e jashtëzkonshme që bëjnë për të promovuar vlerat dhe virtytet më të mira tek njeriu dhe tek shoqëria. Mesazhet e Pashkëve janë shumë të qarta: shpresë dhe besim. Dhe unë jam i bindur që në këto Pashkë, shpresa ringjallet më shumë, se e mira ekziston, dhe ne duhet të ringjallim besimin që të gjithë së bashku mund të shkojmë tek e mira. Kështu që edhe njëherë: Gëzuar! Mbarësi të gjithë besimtarëve ortodoksë korçarë në familjet e tyre, por edhe të gjithë besimtarëve ortodoksë shqiptarë, mirësi dhe fat!”

RAMA: NGA KORÇA, GEZUAR PASHKET
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur Korçën për të festuar Pashkët. Shefi i qeverisë ka uruar të gjithë besimtarët, me një urim të shoqëruar me fotografinë e katedrales së Korçës.
“Nga Korça, GEZUAR PASHKET”- shkruan Rama.

BASHA: SHKËNDIJË SHPRESE SE E NESËRMJA DO JETË MË E MIRË
Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar besimtarët ortodoksë për festën e Pashkëve. Basha shprehet se kjo festë është një shkëndijë shprese për çdo shqiptar se e ardhmja do të jetë më e mirë.

“Mbarë besimtarëve ortodoksë dhe klerit e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare ju uroj nga zemra Gëzuar Pashkët! Le të jetë kjo festë e ringjalljes, një shkëndijë shprese dhe besimi për çdo shqiptar se e nesërmja që po vjen do të jetë më e mirë, për një ekonomi të fortë ku nderohet dhe respektohet puna e ndershme, me kujdes për më të pamundurit, te vobektët, fëmijët dhe të sëmurët. Zoti i bekoftë shqiptarët kudo ku janë!”, uron Basha.​
(er.nu/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: