Ish-numri 2 i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari njoftoi një ditë më parë divorcin përfundimtar me këtë forcë politike, ndërsa shprehu ambicien e tij për t’iu bashkuar PS-së. Kujtojmë që Braimllari u përjashtua nga Kryesia e PL pas përplasjeve të vazhdueshme me lidershipin e partisë dhe teksa Ilir Meta nuk ishte marrë i pandehur nga SPAK.

Për BalkanWeb, Endrit Braimllari deklaroi se do të vazhdonte të mbetej i majtë dhe se do të ishte në mbështetje të qytetarëve.

“Zgjedhjet e ardhshme parlamentare, nëse do të krijohen hapësirat e nevojshme, do preferoja të kontribuoj në një forcë të majtë si PS. Angazhimin në këto vite në politikë e shoh si një mundësi për të mbështetur qytetarët. Nuk kam pasur oferta, e di që do ju duket çudi, por unë politikën e kam pasion dhe e shoh si një mundësi për të çuar përpara pasionin tim. Nuk e kam problem ta nis aty ku e fillova 19 vjet më parë, në qendrën e votimit. Unë politikën e shoh si një mundësi për të qenë sa më pranë njerëzve, si një mundësi interesi për ta. Në 19 vjet angazhim, ruaj momente shumë pozitive, ashtu siç dhe momente jo të mira, por që këto tani i përkasin të kaluarës. Tani duhet të shoh nga e ardhmja dhe në zgjedhjet e ardhshme janë dy kampe përballë, një i djathtë dhe një i majtë. Unë do preferoja të majtën”, tha ai.

Por deklarata e Endrit Braimllarit u shoqërua me një sulm të ashpër nga Partia e Lirisë, duke e cilësuar këtë të fundit si “sufllaqexhi” dhe tradhtar që i kishte premtuar besnikëri Ilir Metës, ndërkohë që tashme po shkonte me Rilindjen.

“I kapur peng për shkak të firmave dhe veprimeve të papërgjegjshme, të parregullta dhe të pamoralshme, dhe tanimë i korruptuar deri në fyt, ky “sufllaqexhi” ordiner nga “zëri i qytetarëve” është kthyer në “një kërmill lëpirës”, në pritje për t’u kthyer në një përfitues të rëndomtë të zhvatjes së taksave të qytetarëve, a thua se “Rilindjes” nuk i mjaftojnë “sufllaqexhinjtë” e saj.

Nga një “besnik i jashtëzakonshëm” i Ilir Metës, Endrit sufllaqja tanimë është konvertuar edhe në një diversionit të ndyrë të SPAK-ut dhe të regjimit, që në bashkëpunim me të tjerë, prej një viti ka punuar kundër Partisë së Lirisë, i keqpërdorur në ekstrem nga “Rilindja” dhe Altin Dumani, siç po e dëshmon edhe vetë me zë e figurë”- thuhet ne reagimin e PL.

Duket se kunjat në distancë nuk kanë munguar as ditën e sotme. Ku Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka postuar një fotografi me kushëririn e ish-nënkryetarit të PL, duke e cilësuar këtë të fundit si “Super Braimllari jonë”!

“Me Super Braimllarin tonë!! Edhe100 Pranvera të reja për Elisedin, një nga drejtuesit e mrekullueshëm të forumit rinor!

Mirënjohje për punën e palodhur për zgjerimin e pandalshëm të Partisë së Lirisë dhe në veçanti për integritetin dhe vlerat e larta morale që ka dëshmuar në vite, për qëndresën, sakrificat dhe luftën e pakompromis në përballje me Narkoregjimin dhe veglat e tij. Shumë urime dhe me Fitore! “, shkruan Tedi Blushi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb