ELBASAN – Dy sporteliste të Postës Shqiptare në Elbasan janë arrestuar sot nga policia për vjedhjen e parave që qytetarët kanë paguar për faturat e energjisë elektrike. 288 ankesa në total kanë ardhur ndaj këtyre dy punonjëseve.


Të arrestuarat janë Ëngjëllushe Moglica, ish-punonjëse e Postës në Elbasan dhe tjetra, Angjelina Toska, ish-punonjësve e Postës në fshatin Shtërmen të Elbasanit.


Lajmi i arrestimit u bë ditur mbrëmjen e së enjtes nga Posta Shqiptare. Në deklaratën për shtyp të Postës thuhet se që të dy rastet e abuzimit janë zbuluar nga vetë auditi i Postës, muaj më parë dhe si rrjedhojë, ato janë pushuar nga puna e ndaj tyre është ngritur dhe kallëzimi penal.


DEKLARATA E POSTËS SHQIPTARE
Ditën e enjte, datë 22 janar 2015, Policia e Elbasanit ka marrë masën arrest me burg për 2 ish sportelistët e Postes Shqiptare në filialin Elbasan, të cilat kanë përvetësuar pagesat e qytetareve për llogari të OSHEE.

Këto dy raste janë evidentuar nga vetë auditi i Postës Shqiptare dhe po nga Posta janë çuar për kallëzim penal. Te dyja nuk janë më punonjëse të Postës Shqiptare prej muajsh.

Engjëllushe Moglica, ish sporteliste e Postës Elbasan është larguar nga puna në Dhjetor të vitit 2013, pas konstatimit me shkelje nga auditi i Postës ndërsa Angjelina Toska ish sporteliste e Postes se fshatit Shtermen ne Elbasan është larguar nga puna ne Mars 2014. Rezulton që ankesat e ardhura për E. Moglicen kanë qenë 78 ndërsa për A. Toskën 210.

Posta Shqiptare është duke marrë në shqyrtim dhe po ndjek me vëmendje të gjitha rastet abuzive. Posta Shqiptare është e vendosur të mos toleroje asnjë abuzim te punonjësve duke marrë menjëherë masat më ekstreme për këdo që shpërdoron detyrën dhe dëmton qytetaret Shqiptarë.

(ar.sh/BalkanWeb)

Etiketa: