NGA: Fatmira Nikolli*Është përkujtuar dje në am bientet e Muzeut Historik Kombëtar, 71-vjetori i Çlirimit të Tiranës. Një konferencë shkencore dhe përkujtimore u mbajt aty në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Komitetin e Veteranëve të Shqipërisë. Aktiviteti u përshëndetet nga Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili në fjalën e tij tha se: “Në çdo bisedë me veteranë të ndryshëm më ka bërë përshtypje pasioni me të cilin këta njerëz flasin për atë kohë. Jemi me fat që akoma kemi dëshmitarë të asaj kohe. Unë dhe shumë të tjerë të brezit tim, pyesim se, a do të ishim edhe ne aq trima, sa këta veteranë, për çlirimin e vendit?! Me luftën e tyre Shqipëria u bë pjesë e asaj bote që ne besojmë dhe duam edhe sot”. Pas tij, fjalën e mori ish- Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, i cili u shpreh se: “Shqiptarët e shkruajtën me gjak historinë e luftës për liri, ndaj ftoj historianët tanë dhe politikanët, që t’i përmbahen linjës së historisë. Duhet të jemi krenarë për gjakun që derdhi rinia e asaj kohe dhe me kontributin e tyre. 17 Nëntorin e kujtoj akoma me shumë nostalgji”.

Në konferencë morën pjesë emra të njohur të historisë si, Prof.Dr.Paskal Milo, Prof.Dr.Fatmira Rama dhe Dr.Marenglen Kasmi. Në kumtesat e tyre, ata folën për përjetimet dhe dëshmitë historike të mbledhura nga ajo kohë për çlirimin e Tiranës dhe vazhdimit të çlirimit një e nga një të qyteteve të Shqipërisë nga pushtimi nazist. I pranishëm në konferencë, ishte edhe veterani Xhaferr Peçi. “Lufta për çlirimin e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë është bërë nga forcat e veta të popullit shqiptar, nga Fronti Çlirimtar, në atë periudhë Shqipëria numëronte 5000 partizanë edhe jo vetëm që morën pjesë në luftën e çlirimit të Tiranës, por shkuan edhe te populli i Jugosllavisë, në luftën kundër hordhive naziste- gjermane”,- tha ai, duke shtuar se luftimet i mbështeti fuqimisht edhe rinia e Tiranës, populli dhe njësitë guerile.

“Populli i Tiranës”, theksoi ai, “së bashku me partizanët ndërtuan barrikada për të ndaluar tanket që vinin nga Elbasani, në rrugën Tiranë-Vorë-Shkodër dhe për të dalë nga rrethimi. Ata na sillnin shishet me lëngje, se partizanët nuk kanë pasur kundratanke, që të luftonin kundra mjeteve të blinduar nga Rruga e Barrikadave”. Një tjetër veteran i pranishëm, ishte 95-vjeçari Hekuran Lilaj, i cili gjithashtu falënderoi popullin e Tiranës, për ndihmën e dhënë gjatë luftës. “Na ka ndihmuar shumë, na ka marrë partizanë të vrarë edhe i varroste, na ka marrë partizanë të plagosur edhe i çonte në spital. Na tregonte rrugët se ishte e vështirë që të luftoje në kryeqytet. Kështu që u jemi mirënjohës. Kur erdhi qeveria te Hotel Dajti ne kemi parakaluar ashtu siç ishim partizanë, me rroba, pa rroba, me pushkë e pa pushkë”. Më poshtë pjesë të shkëputura nga fjala e prof.Paskal Milos “Zhvillimet politike në prag e gjatë luftës për çlirimin e Tiranës” e cila hedh dritë mbi një pjesë të errët të historisë së vendit.

FJALA E PROF.DR.PASKAL MILOS
Zhvillimet politike janë sa të brendshme aq edhe ndërkombëtare. Në vjeshtën e vitit 1944 ato ishin të vrullshme, interesante e të ndërthurura midis tyre. Në vjeshtën e parë tri ishin forcat kryesore politike e ushtarake në Shqipëri: Fronti Nacionalçlirimtar nën udhëheqjen e Partisë Komuniste, Balli Kombëtar si përfaqësues i rrymës republikane, nacionaliste e antikomuniste dhe Legaliteti si një linjë monarkiste e po aq antikomuniste. “Qeveria e Prezës” dështoi ende pa u formuar. Partizanët i goditën menjëherë forcat e Ballit e të Legalitetit të përqendruara në zonën përreth, të cilat u shthurën e u shpërndanë. Edhe përpjekja e fundit e Maklinit për t’i furnizuar me armë e materiale luftarake u refuzua në Shtabin britanik të Mesdheut. U gjykua se këto forca ishin të pakta e “me karakter të paqëndrueshëm”, se ato nuk jepnin asnjë garanci se “armët do të përdoreshin kundër gjermanëve” dhe se “do të dëmtonte marrëdhëniet tona me partizanët”.

Në fund të shtatorit e në fillim të tetorit liderët nacionalistë, republikanë e monarkistë humbën çdo shpresë. Shumica zgjodhi arratinë për të shpëtuar, jo aq për politikën mëkatare të kolaboracionizmit se sa nga hakmarrja e paralajmëruar e rivalëve komunistë. Ndërsa një pakicë provoi dhe kërkoi kompromisin e orëve të fundit me Partinë Komuniste dhe Enver Hoxhën. Kjo histori është pjesa më pak ose aspak e ndriçuar e pragçlirimit të vendit dhe që ngërthen në vetvete dramën e mikrokozmosit politik e njerëzor shqiptar të kohës. Dëshmitë e reja dokumentare që kanë dalë në dritë tregojnë se krerë të Ballit Kombëtar si Bahri Omari, Koço Muka, Kol Tromara e Zenel Gjoleka në mesin e shtatorit kërkuan të dorëzohen te forcat partizane e të viheshin në dispozicion të F. N. Çl me kushtin që t’u sigurohej jeta. Mehdi Frashëri, Ibrahim Biçaku dhe Hysni Dema i kërkuan po në këtë kohë Myslym Pezës që të dorëzoheshin në besë të tij. Në fillim të nëntorit është përsëri Mehdi Frashëri me Hasan Dostin që kërkojnë të dorëzohen pa kondita sipas radiogramit që Dali Ndreu, komandanti i Korparmatës së I-rë i dërgonte në këtë kohë Enver Hoxhës.

Kërkesat u diskutuan në një rreth shumë të ngushtë të udhëheqjes së PKSH e në një konspiracion të thellë, aq sa u shmang edhe Omer Nishani, kryetari i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar e një nga njerëzit që ishte përdorur për të komunikuar në mjaft raste me nacionalistët. Nishani i prekur në sedër protestoi te Enver Hoxha për anashkalimin e tij dhe për politikën e faktit të kryer që u ndoq në adresë të tij. Ndaj edhe i shkruan: “Unë, Enver, s’jam njeri që mund t’i pranoj gjërat të bëra gati dhe t’i vulos. Dua që të ndodhem dhe unë në bisedimet që bëhen. Ne këtu kemi një kryesi, kemi një komitet. Duhet pra që një çështje si kjo e krerëve të Ballit, që ka një rëndësi politike, të vendosej në një mbledhje të posaçme. Ja jemi shokë, ja s’jemi. Apo jo?”(Letër e Omer Nishanit për Enver Hoxhën. Viti 1944). Vendimi shkaktoi tronditje e pakënaqësi edhe te drejtues të tjerë të lartë partiakë ose jo. Në emër të tyre Kristo Themelko i shkroi një letër Miladin Popoviçit në të cilën e njoftonte se lajmi për faljen e eksponentëve të Ballit kishte shkaktuar shumë keqkuptime ndaj edhe kërkohej ndihma e tij për t’u sqaruar. Letra nuk ra në dorën e Popoviçit se në fund të shtatorit ai ishte larguar ndaj edhe ajo gjendet e ruajtur në arkiv pasi i është dërguar Enver Hoxhës.

Përmbajtja e vendimit nuk figuron e shkruar dhe qëllimisht nuk u hartua si dokument i veçantë. Se çfarë u vendos bëhet e njohur nga përgjigja që Enver Hoxha i ktheu Dali Ndreut në 17 Shtator. E urdhëron që t’i pranojë krerët e Ballit që të dorëzohen me kushtin e sigurimit të jetës “por asnjë gjë nuk duhet t’u jepet me shkrim. Por fjala është fjalë. Kjo gjë bëhet vetëm për këta të katër, pse kërkuan vetë falje. Për të tjerët do t’u dërgohet vija e përgjithshme. S’është nevoja me e trumbetue konditën që u kemi vënë këtyre”. Ajo që tërheq vëmendjen është kujdesi për ta mbajtur sekret vendimin e pa lënë gjurmë të shkruara. Mesa mund të supozohet ka qenë një vendim i vështirë për t’u marrë, ndofta përmes edhe debatesh e në pritje të zhvillimeve të tjera. Radiogrami lejon të kuptohet se në shtabin e Enver Hoxhës kishte pritshmëri për kërkesa të tjera ose për përpunimin e një qëndrimi më të kujdesshëm e më kolektiv po të merret në konsideratë edhe reagimi i Omer Nishanit, Kristo Themelkos e të tjerëve.

Liri Gega njoftonte se shtabi i Divizionit I-rë ishte në kontakt me Koço Mukën e të tjerë, se ishin të gatshëm për bisedime me Hasan Dostin nëse ai kërkonte e me persona të tjerë gjithnjë në titull individual e jo si përfaqësues të formacioneve politike kundërshtare. Përcaktimi i “vijës së përgjithshme” ndaj kundërshtarëve politikë që kërkonin të dorëzoheshin po të merret në konsideratë kjo shprehje e Enver Hoxhës kishte të bënte edhe me fatin e krerëve të mirënjohur të Shqipërisë së Veriut. Të gjitha këto ngjarje ndodhën brenda harkut dyjavor pasi ishte dhënë fjala për sigurimin e jetës të katër krerëve të Ballit në rastin kur ata do të dorëzoheshin. Ndryshimi i shpejtë i situatës në terren në favor të forcave të F.N.Çl braktisja thuajse e hapur e Ballit Kombëtar e Legalitetit nga britanikët dhe amerikanët si dhe kundërshtimi nga disa eksponentë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare e radikalizoi përfundimisht qëndrimin e PKSH. Nuk përjashtohet që në ndryshimin e qëndrimit të ketë ndikuar edhe i dërguari i ri i P.K. të Jugosllavisë në PKSH, Velimir Stojniçi që zëvendësoi Miladin Popoviçin. Në 29 shtator Enver Hoxha urdhëroi Dali Ndreun që të mos zbatohej fjala e dhënë për Bahri Omarin me shokë e se “ato hynë në kategorinë e horave të tjerë”.

Fati i tyre u paracaktua. Unaza e rrethimit të Tiranës nga forcat partizane po mbyllej e së bashku me të edhe mundësia për të arrirë në kompromis mes kundërshtarëve politikë. Marrëveshje kompromisi me udhëheqjen e forcat partizane kërkoi edhe kryetari i Regjencës, Mehdi Frashëri në 26 tetor në prag të ofensivës për çlirimin e Tiranës. Duke shpallur dorëheqjen ai iu lut forcave partizane që të mos luftonin në kryeqytet pasi gjermanët po largoheshin vetë. Por ndryshe mendonte udhëheqja e Partisë Komuniste dhe e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Në 30 tetor Enver Hoxha urdhëroi Divizionin e I për të sulmuar e për të marrë me çdo kusht Tiranën dhe të mos pritej sa të tërhiqeshin gjermanët. Marrjen e kryeqytetit ai e vlerësonte si një sukses të madh politik e me rrjedhoja të mëdha brenda e jashtë vendit. Disa ditë më parë në Berat ishin marrë vendime të rëndësishme, ishte krijuar Qeveria e F.N.Çl. me në krye Enver Hoxhën dhe ishte kërkuar njohja e saj nga qeveritë e tri Fuqive të Mëdha të Kombeve të Bashkuara.

Afrimi i çlirimit të vendit dhe i marrjes së pushtetit kishte filluar të trazonte ujërat e fjetura e ambiciet e tulatura brenda udhëheqjes së PKSH. Krijimi i qeverisë shërbeu si katalizator që i nxori ëndrrat për pushtet nga sirtari i thellë i vetëdijes të mjaft prej krerëve komunistë. Berati në nëntor, me kontributin e veçantë edhe të të dërguarit të Titos, Velimir Stojniçit u bë arena e kacafytjes së parë të madhe mes komunistëve shqiptarë që inauguroi serialin pa mbarim të tyre për gati 40 vjet. Nëse do të duheshin disa fjalë kyç për të përshkruar se çfarë ndodhi në gjirin e udhëheqjes komuniste në nëntor 1944 në Berat do të ishin të mjaftueshme: intrigë, pabesi, lakuriqësi, dyfytyrësi, transparencë vrastare dhe egërsi. Në Berat u shfaqën dy grupe që luftuan ashpër: grupi sulmues i kryesuar nga Sejfulla Malëshova, Koçi Xoxe e Nako Spiru e i dirigjuar në prapaskenë nga Velimir Stojniçi dhe grupi në mbrojtje i përbërë nga Enver Hoxha, Liri Gega, Ramadan Çitaku, etj.

Kishte edhe një grup të tretë thuajse neutral në të cilin bënin pjesë Tuk Jakova, Ymer Dishnica, Bedri Spahiu, Hysni Kapo, Gogo Nushi, etj. Në plenumin e K.Q. të PKSH u goditën shumë krime e gabime të rënda që ishin bërë por edhe arritje të rëndësishme të Luftës Nacionalçlirimtare. Enver Hoxha gati u shkurorëzua nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të PKSH. Pranoi thuajse gjithçka për çfarë u akuzua. U krijua përshtypja e një “autokritike të sinqertë” kur në fakt ishte një lëvizje taktike e tij për të ruajtur kryesimin e PKSH e për të marrë pushtetin në Shqipërinë që po çlirohej. Kacafytja u la përgjysmë se ndërkohë Tirana ishte çliruar. Kryeqyteti u përgatit për të pritur çlirimtarët e fitimtarët. Hynë aty me Antifashiste Nacionalçlirimtare si një manifestim e përbetim se vepra e tyre nuk do të harrohet kurrë.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: