TIRANE –Katër nxënës të shkollës 9-vjeçare “Jashar Hoxha” në Paskuqan kanë shfaqur probleme shëndetësore në klasë, gjatë paradites së sotme dhe janë dërguar me urgjencë në spital.
Burime për “BalkanWeb” bëjnë të ditur se nxënësit e klasës së shtatë janë ndjerë keq, sapo kanë hyrë në shkollë, pasi pastruesja kishte përdorur acid për larjen e ambienteve të klasave. Këtij versioni i qëndron edhe policia, por pritet të saktësojë llojin e kimikatit të futur në shkollë.

Mësohet se pasi morën ndihmën e nevojshme në pavionin e Pediatrisë në QSUT, nxënësit u dërguan në shtëpi dhe janë në gjendje të mirë.

Ndërkohë, burime nga QSUT nuk përjashtojnë mundësinë që nxënësit të jenë helmuar nga ushqimi, pasi kanë deklaruar se para se të ndiheshin keq kishin konsumuar patatina.

Të tjera versione për ngjarjen në shkollën e Paskuqanit kanë dhënë në parlament deputetë të opozitës dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Deputeti i PD-së Asllan Dogjani tha se nxënësit kanë përfunduar në spital pasi janë droguar, ndërsa ministrja Nikolla deklaroi se fëmijët janë ndjerë keq pasi në shkollë ka patur rrjedhje gazi.
“Drejtoria e Shkollës ka informuar organet kompetente. Jemi në kontakt me spitalin. 6 vajza janë helmuar për shkak të rrjedhjes së gazit në shkollë. S’ka asnjë të helmuar me drogë”, – tha Nikolla.

DEKLARATA E POLICISE
Më datë 06.10.2016, në numrin e emergjencave 112, ka ardhur një telefonatë nga Drejtoresha e shkollës 9 vjeçare “Jashar Hoxha”, në Kamëz, se 4 fëmijë në shkollë kanë pasur probleme shëndëtësore.

Menjëherë në shkollë është dërguar grupi hetimor, ku Drejtoresha e kësaj shkolle ka pretenduar se mos ka patur lëndë narkotike një nga nxënësit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 5, kanë kontrolluar të gjithë shkollën, nga ku ka rezultuar se në shkollë nuk është konstatuar asnjë lëndë e dyshuar narkotike. Nga kontrolli i imtesishëm dhe aroma e ndierë nga shërbimet dyshohet se aroma ka qënë kimikat (në formë të gaztë) që përdoret për pastrim.

Nxënësit të cilët kanë shfaqur probleme me shëndetin, kanë marrë mjekimin e nevojshëm në Spital. Sipas deklaratave të tyre aroma ka qënë shumë e fortë.

Nga deklarimi i mjekut të Spitalit, figuron se këto shqetësime nuk kanë ardhur si pasojë e aromës së ndonjë lëndë narkotike por nga aroma e ndonjë kimikati të fortë. Shërbimet e policisë po punojnë për ividentimin e llojtë të kimikatit të futur në shkollë.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb