Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë, Lorenc Tosku, dhe deputeti Florenc Spaho ishte në qytetin e Peqinit, pranë disa prej familjeve të prekura nga tërmeti i mëngjesit të 26 nëntorit, të cilat janë strehuar përkohësisht në çadra.

Në disa fshatra të Bashkisë së Peqinit ka pasur dëme në banesa nga tërmeti i fuqishëm i mëngjesit të 26 nentorit, që goditi vendin.

Deri më tani, nga verifikimet e kryera në terren nga ana e specialistëve të Bashkisë dhe Nënprefekturës së Peqinit janë identifikuar 10 banesa me dëme të medha, në të cilat banorët nuk mund të jetojnë më.

Në fjalën e tij, Balla tha se familjet, shtëpitë e të cilëve janë bërë të pabanueshme nga tërmeti do të strehohen në çadra e më pas në banesa me qera.

“Për të gjitha familjet, banesat e të cilëve kanë paraqitur dëmtime në strukturë, çarje të rënda të mureve apo dëmtim të çatisë kemi marrë vendimin për t’i nxjerrë nga banesa menjehërë dhe për seicilën familje kemi vendosur një çadër në oborrin e shtëpisë, të pajisura me krevate, dyshekë dhe batanije.

Gjithashtu janë marrë të gjitha masat që familjet të furnizohen dhe me ndihma ushqimore.

Në fazën e dytë familjet do të sistemohen në shtëpi me qera. Ndërkohë në bashkepunim me Qeverinë do të programojmë rindërtimin ose rikonstruksionin e shtëpive të dëmtuara”, deklaroi Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb