Vlora vijon të vuajë pasojat e përmbytjes, megjithëse ka një tërheqje të ndjeshme të ujit. Një nga zonat më të prekura nga përmbytjet është ajo që njihet si Albano & Romina, e cila ëhstë një zonë në formë grope dhe tërheqja e ujit është shumë e vështirë.

Gazetari i News24, Erik Mehmeti, tha se tërheqja e ujit ka të bëjë kryesisht prej pompave që janë vënë në punë.

“Janë dy pompa të fuqishme të Ministrisë së Mbrojtjes që janë vënë në punë prej mëngjesit të sotëm. Ende nuk ka një bilanc mbi numrin e banesave të përmbytura. Pritet që një bilanc të bëhet gjatë ditës së nesërme, pasi mund të kemi një stabilizim të situatës”, tha Mehmeti.
Gazetari tha se shpresat që bizneset të dëmshpërblehen janë të pakta, ndërsa familjarët po bëjnë bilancin e dëmeve që tia paraqesin grupeve të emergjencave civile. Ai solli në vëmendje rastet e përmbytjeve në 2015 kur bizneset nuk u dëmshpërblyen.

“Sa i takon familjeve kemi të bëjmë me rastet kur ata kanë humbur gjithçka, nga orenditë shtëpiake, te veshjet dhe ushqimet. Pra kemi familje që po përballen sot me humbjen e gjithçkaje”, tha gazetari.

Mehmeti tha se në By Pass e Vlorës duhet të ketë një ndërhyrje emergjente, pasi kemi një rrëshqitje të dherave.

“Dëmet materiale mund të shkojnë qindra mijëra euro, por e rëndësishme është që nuk kemi dëme në njerëz. Probleme dhe dëme ka pasur edhe në bizneset e prodhimeve masive që janë përmbytur, ku janë dëmtuar edhe makineritë që lidhen me punën e tyre”, tha ai.

Gazetari tha se përsa i takon të evakuuarve që u strehuan në konvikte, rreth 90 % e tyre janë larguar te miqtë apo të afërmit e tyre.
Mehmeti tha se në Vlorë, jo vetëm Ministria e Mbrojtjes, por ka pasur një mbështetje me mjete edhe nga ndërmarrjet e kanalizimeve të qyteteve të tjera.

“Shumë nga familjet janë përballur me situata përmbytjesh edhe më parë dhe problemi është që duhen marrë masa që këto situata të mos përsëriten”, tha gazetari i News24.

Ai tha se nga informacionet që ka, në mbledhjen e fundit të shtabit të emergjencave, është diskutuar mbi një plan masash në mënyrë që në të ardhmen të mos përsëriten situata të tilla.

Në qytetin e Vlorës dy nga lagjet më të prekura nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e së premtes janë ato të njohura si Lef Sallata dhe Karabash. Këtu niveli i ujit, sipas dëshmive të banorëve, të siguruara nga gazetari Erik Mehmeti, arriti deri në 70 cm brenda banesave, duke dëmtuar gjithçka që ndodhej në katet e para, garazhe apo biznese.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb