Nga Dr. Jorgji Kote
E vetmja gjë që nuk pritej dhe nuk u pa në zgjedhjet presidenciale të 18 mars në Rusi ishte një shenjë sado e vogël jete për social-demokracinë, tatëpjeta e të cilës ka vite që nuk po ndalet në të gjithë Evropën. Ndërkaq, javën e kaluar dha dorëheqjen kryeministri social-demokrat sllovak, Robert Fico përballë protestave publike në rritje pas vrasjes makabër të një gazetari investigativ; ky i fundit po hetonte një aferë mafioze, ku përflitej edhe vetë kryeministri Fico. Të njëjtën gjë bëri homologu i tij slloven i qendrës së majtë, Miro Cerar, pasi Gjykata Kushtetuese anuloi referendumin e vitit të kaluar lidhur me ndërtimin e një korridori hekurudhor, për pasojë në këto dy vende së shpejti mund të ketë zgjedhje të parakohshme, ku ka shumë të ngjarë që social-demokratët të kalojnë në opozitë dhe të margjinalizohen më tej.

Këto vitet e fundit e kanë nxjerrë më shumë në pah “firon” e vazhdueshme të social-demokratëve në pushtet, që tashmë numërohen vërtet me gishta; qeverisin më vete vetëm në Shqipëri; nuk dihet fati i tyre në zgjedhjet e vitit të ardhshëm në Danimarkë dhe Rumani; në Portugali kanë qeveri pakice, kurse në Gjermani, Estoni dhe në Luksemburg janë partnerë të vegjël të koalicionit qeveritar. Kudo gjetkë janë në opozitë anemike dhe pa shenja rikthimi në pushtet së shpejti. Dalja nga kjo gjendje e nderë përbën objektivin kryesor madhor të përpjekjeve, analizave dhe parashtrimit të alternativave bindëse për forcat e qendrës së majtë pa përjashtim në Evropë.

Shqetësimi nuk është te qëndrimi me vite në opozitë, sepse demokracia e presupozon rotacionin politik, por sepse veç humbjeve të përsëritura e të radhës, social-demokracia vazhdon të tronditet nga disfata dhe katastrofa zgjedhore; për pasojë shumë prej tyre u shkon për shtat termi “Pasokzim”. Kjo dukuri e re i referohet katastrofës tragjike të PASOK-ut të famshëm ose “Lëvizja Socialiste Panhelenike Greke” e themeluar më 1974 nga politikani legjendar A. Papandreu, që drejtoi me alternim me “Nea Demokracia” skenën politike greke deri në vitin 2014. Pas shpërthimit sizmik të krizës së borxheve, korrupsionit të shfrenuar dhe krijimit të SYRIA, PASOK bëri pikiatë dhe nga fitoret e bujshme të mëparshme me 45-50 për qind, tani nuk ka më shumë se 5 për qind të votave.

Gjithsesi, dukuria më tipike e pasokzimit u shfaq vitin e kaluar në Francë, ku PS-ja që ka qeverisur vendin me dekada pësoi katastrofën më të rëndë zgjedhore me rreth 6 për qind të votave, aq sa tani është detyruar të shesë godinën e saj qendrore për të shmangur falimentin financiar.

Në këto nivele janë edhe “homologët” e tyre holandezë, që kanë qenë vazhdimisht në qeverisje e që mezi po mbahen në këmbë me shifrën poshtëruese 5,7 për qind. Diçka më mirë, por gjithsesi në gjendje të vështirë janë social-demokratët spanjollë, norvegjezë, suedezë, belgë, finlandezë, etj.

Me përjashtim të Bullgarisë, Kroacisë e ndonjë vendi tjetër gjithsesi me pak peshë, pasokzimi ka “infektuar” edhe disa parti social-demokrate në Evropën Qendrore dhe Juglindore. Tipike janë rastet e Hungarisë, Çekisë dhe Sllovenisë, ku social- demokratët, kjo ish-pararojë historike e anti-komunizmit dhe demokracisë në Evropën Qendrore dhe Lindore luhaten me 6-10 për qind të votave. Edhe laburistët izraelitë, që kanë dominuar për dekada me fitore plebishitare deri 40 për qind, tani luhaten me vështirësi në nivelin 16 për qind të elektoratit.

Ne po ndalemi te pasokzimi, sepse ka edhe më keq se aq. Kështu, veç Rusisë, në Poloni, qendra e majtë që 15 vite më parë kishte presidentin e shquar Kvasnievski dhe udhëhiqte me 40 për qind, tani nuk ka asnjë deputet! E njëjta gjendje është dhe në Letoni dhe në Turqi, madje në këtë të fundit e Majta Demokrate në pushtet për shumë vite, u shua fare në vitin 2006 bashkë me yllin e saj, ish-kryeministrin Bulent Eçevit; në zgjedhjet e fundit ajo siguroi vetëm 0,07 për qind të votave.

Ekzistonte një fare besimi se në zgjedhjet më të fundit në Gjermani, Austri dhe në Itali gjërat do të shkonin në favour të social-demokratëve, duke shërbyer edhe si inkurajim për “simotrat” e tyre më të dobta. Por, të tria këto parti të mëdha pësuan disfata historike. Social-demokratët në Austri me 13 për qind humbën pushtetin, po ashtu SPD-ja gjermane në zgjedhjet e shtatorit 2017 ra në kuotën më të ulët të pasluftës me 20,5 për qind, kurse në pjesën ish-lindore të saj, ajo luhatet në rreth 10 për qind. Të njëjtën disfatë pësoi edhe PD-ja italiane në zgjedhjet e 4 marsit 2018 me vetëm 18,5 për qind, duke rënë edhe ajo nga pushteti.

Vërtet që këto dhe disa parti të tjera nuk janë ende në nivelin e pasokzimit, por përgjysmimi i rezultateve të tyre zgjedhore e përmban në vetvete këtë rrezik të mundshëm. Përjashtim nga kjo tablo e zymtë bëjnë laburistët britanikë të Jeremy Corbyn, që brenda 5 viteve të fundit u ngritën nga 30 në 40 për qind, me shpresë se mund të rikthehen në qeverisje në vitin 2021.

Shkaqet kryesore të kësaj gjendjeje alarmante janë paaftësia e këtyre partive tradicionale në përballimin/menaxhimin e krizave të njohura serioze- financiare, të azilit, emigracionit, sigurisë, terrorizmit ndërkombëtar etj. Veçse ndryshe nga të djathtët, ndëshkimi politik/zgjedhor për social-demokratët është shumë më i rëndë, për shkak të disa specifikave madhore lidhur me funksionimin e tyre të brendshëm, sjelljet elektorale në përgjithësi dhe ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të tyre në veçanti.

Së pari, gjatë gati 20 viteve të fundit këto parti kanë humbur shumë terren në betejat politike; “Rruga e Tretë ose e Mesme” e Blair dhe Schroder nuk dha rezultatet e pritura. Gjithashtu, ndryshe nga konservatorët që kanë pasur dhe ende kanë më shumë hapësira për manovrim për të lëvizur e për të bërë aleanca nga e djathta, jo vetëm me liberalët bashkëpunues, por edhe me ekstremin e djathtë, qendra e majtë sidomos në Francë, Gjermani, Greqi, Austri, Spanjë etj., e ka pasur pothuajse të pamundur të lëvizë apo hapet më majtas, për shkak edhe të trashëgimisë së saj ideologjike në të kaluarën.

Nga kjo situatë kanë përfituar forcat populiste dhe të ekstremit të majtë/djathtë, të cilat kanë bërë pothuajse tërësisht “pronë” të tyre edhe tematikën e fushatave zgjedhore, duke e kufizuar atë radikalisht tek azili, siguria, varfëria, papunësia, frika dhe urrejtja ndaj të huajve, emigracioni dhe terrorizmi ku social-demokratët janë treguar të lëkundur.

Veç sa sipër, social-demokratët janë detyruar të veprojnë në një klimë, mjedis dhe sfond politik e social shumë të disfavorshëm për natyrën e tyre racionale. Kështu, në Austri, Itali dhe gjetkë në vend të alternativave, fushatat zgjedhore ishin plot llumë, baltë, shpifje dhe fabrikime të shumta.

Faktor tjetër specifik negativ për qendrën e majtë ka qenë koninktura ekonomike dhe sociale tejet e pafavorshme e viteve të fundit me vazhdimin e mbylljes së uzinave e fabrikave e shoqëruar me dobësimin e sindikatave, shtylla dhe baza solide e social-demokracisë.

Këto dukuri e kanë zënë “gafil” të majtën evropiane, si në pushtet dhe në opozitë, pa alternativa të përpunuara të besueshme përballë të djathtës dhe forcave ekstremiste e populiste.

Por dhe kur kanë ardhur në pushtet, ndryshe nga premtimet, ata kanë vazhduar me teprim e pa kritere shkurtimin e fondeve, prekjen e sigurisë sociale etj., duke zhgënjyer në masë dhe elektoratin më besnik. Tipik këtu është rasti i Matteo Renzi në Itali, që “premtoi qiejt”, por në katër vitet e fundit asgjë nuk u bë në praktikë.

Shkaku i fundit tejet i rëndësishëm ka qenë edhe mbetet mungesa e liderëve karizmatikë, me vizion dhe guximtarë politikë në një kohë kur programet e partive kanë prirjen për t’u afruar drejt njehsimit. Është fjala për liderë që të paktën t’u afrohen gjigantëve të tillë social-demokratë, si Mitterand/ Delor në Francë, Brandt/Schmidt në Gjermani, Blair në Britani, Gonzales/Zapateros në Spanjë, Suarez/Guteres në Portugali, Vranitzky në Austri, Stoltenberg në Norvegji, Rasmussen në Danimarkë, Peres/Rabin në Izrael etj.

Mirëpo kjo nuk bëhet brenda një viti, as duke “importuar” liderë nga institucionet evropiane që janë “outsiders” për elektoratin e vendeve të tyre, qoftë edhe nga Parlamenti Evropian; si në rastin e dështimit të madh të ish-Presidentit të Parlamentit Evropian, Martin Schulz përballë Merkel, që e thelloi më tej krizën e SPD-së gjermane.

Fatkeqësisht, shmangien e pasokëzimit nuk mund ta ndihmojë as Internacionalja Socialiste e botës, e cila ka vite që vuan vetë mungesën e një lideri të vërtetë. Për ironi të fatit, president i saj është ende ish-lideri i rrëzuar i Pasokut dhe kryeministër i dështuar i Greqisë, Jorgos Papandreu. Ndërsa sekretari i saj i Përgjithshëm, Louis Ajala qëndron i “patundur” për 29 vjet si sekretar i saj i përgjithshëm. Edhe në krye të grupit socialist dhe të Partisë Socialiste të Evropës në Bruksel janë drejtues të njohur të partive humbëse. Kësisoj, mbetet të shpresojmë daljen sa më shpejt në skenën politike të liderëve të rinj bindës, që jo vetëm të shmangin pasokzimin e mëtejshëm, por edhe të premtojnë sa më shpejt një rifillim të ri të madh të social-demokracisë evropiane e më gjerë. Një gjë e tillë është jo vetëm në të mirën e social-demokracisë, por edhe për stabilitetin politik, ekuilibrat institucionalë dhe mirëqeverisjen evropiane e më gjerë. /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb